Isa Mustafa, për sondazhet e VV-së: Në LDK nuk iu besojmë përrallave, shkojmë pa koalicione në zgjedhje

27.12.2020 12:21:30

Kryetari i Lidhjes demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se rrëzimi i Qeverisë nuk mund të jetë asnjë arsye që LDK-ja të dëmtohet në zgjedhjet e ardhshme, sepse sipas tij, Qeveria Hoti nuk e ka shkelur Kushtetutën.

Mustafa tha se në zgjedhjet e parakohshme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të dalin më të mirët.

Madje, ai tha se në këtë parti nuk iu besojnë fare përrallave, duke iu referuar sondazheve të fundit që po e nxjerrin Vetëvendosjen si fituese të zgjedhjeve, duke i quajtur të porositura nga kjo e fundit.

Mustafa theksoi se në zgjedhje do të hyjnë me besimin nga qytetarët për programin dhe për punën që ka bërë Qeveria Hoti.

“Unë mendoj që rrëzimi Qeverisë nuk mund të jetë asnjë arsye që LDK-ja të dëmtohet në zgjedhjet e ardhshme sepse Qeveria Hoti nuk e ka shkelur Kushtetutën. Qeveria nuk ka bërë asnjë shkelje të Kushtetutës. Nuk i ka zgjedhur Qeveria Hoti deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ata i ka certifikuar një organ krejtësisht tjetër KQZ-ja. Ata kanë dhënë betimin në Kuvend. Është betuar edhe deputeti të cilit i është kontestuar vota dhe askush në atë kohë nuk ka thënë që ky nuk është deputet dhe nuk ka votë valide. Ka votuar gjithmonë dhe askush nuk ia ka kontestuar votën e tij. Prandaj nuk është kjo çështje e Qeverisë. Është dashur të jetë çështje e Kuvendit dhe e KQZ-së. Dhe në këtë rast vetëm pasojat janë në Qeverinë Hoti sepse rrjedhimisht asaj po i përfundon mandati për një shkak që nuk është pasojë e sjelljes së saj. Sa i përket zgjedhjeve unë jam shumë i bindur që ne do të dalim mirë”, tha Mustafa

“Si LDK nuk iu besoj fare sa përrallave aq iu besoj këtyre sondazheve të Vetëvendosjes dhe të porositura nga ajo. Ne njihemi mirë në Kosovë kush çfarë anëtarësie ka, cilët votues i ka. Njihemi mirë edhe me sondazhet dhe mënyrën e organizimit të tyre. Në zgjedhje nuk do të hyjmë me kompleksin e sondazheve  por do të hyjmë me besimin që presim nga qytetarët për programin tonë dhe për punën që ka bërë qeveria Hoti. Nëse ata gjejnë te Qeveria Hoti korrupsion do ta dënojnë Qeverinë Hoti. Nëse do ta gjejnë te Qeveria ime e vitit 2014-2017 korrupsion do të na dënojnë. Mirëpo nëse gjejnë se ne nuk kemi punuar mirë sa i përket zhvillimit ekonomik prapë mos të na japin votën, por jam i bindur që në kohën që kemi qeverisur ne si LDK edhe në periudhën 2014-2017 edhe tani vendi është ndjerë më së miri me programe ekonomike dhe me koncept të zhvillimit ekonomik”.

I pyetur se kur do të shpallë kandidaturën me emra për kryeministër të ardhshëm të vendit, Mustafa tha se nuk kanë diskutuar ende në parti.

Mirëpo ai shtoi se për fillim do të diskutohet vetëm lista e deputetëve.