Isa Mustafa reagon pas shkarkimit të Agim Veliut

18.03.2020 13:48:04

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka quajtur të papranueshëm vendimin e kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e ministrit Agim Veliu.

Mustafa e ka quajtur vendimin e Kurtit, shkelje të marrëveshjes së koalicionit.

Reagimi i plotë:

Qytetarë të nderuar
Për mua dhe LDK-në është i papranueshëm shkarkimi i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu.
Kjo është shkelje e Marrëveshjes së koalicionit.
Me marrëveshje kemi përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i LDK-së.
Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga Kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e tij te bëra publike.
Kërkoj nga Kryeministri të anuloj vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim per heqjen e taksës deri në fund të javës.
Veprimet e njëanshme të Kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe qojnë në prishje të koalicionit. IM