Isa Mustafa shpreh qëndrimin e LDK-së në prag të Samitit të Berlinit

28.04.2019 15:35:41

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, lidhur me Samitin e Berlinit, është shprehur se ky samit është i dobishëm për të finalizuar komunikimin ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në një postim në facebook, z. Mustafa, po ashtu është shprehur se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shumë punë për europianizimib e tyre dhe kanë nevojë për përkrahjen e Gjermanisë, Francës, por edhe të Britanisë së Madhe si partner i BE-së.

Lidhur me Kosovën, z. Mustafa është shprehur kundër korrigjimit të kufijve, dhe ka vlerësuar qëndrimin e Gjermanisë.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e z. Mustafa;

Procesi i Berlinit, i idejuar nga Kancelarja Merkel, ka shtytë përpara rrjedhat e bashkëpunimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe, po ashtu, ka krijuar rrethana të reja të komunikimit ndërmjet këtyre vendeve. Takimi i nesërm në Berlin është i dobishëm për të dinamizuar këtë proces.
Jo vetëm Kosova dhe Serbia, por edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shumë punë për tu evropianizuar institucionalisht.
Kosova ka nevojë për përkrahje të Gjermanisë dhe të Francës, tani si vende boshte të BE-së. Sikurse që i nevojitet partneritet i fortë me SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar për të arritur Marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.
LDK-ja, si parti më e madhe në vend, është shprehur qartë për nevojën e një marrëveshjeje të qëndrueshme, sikurse që ka qenë dhe është e qartë se nuk do të përkrahë asnjë marrëveshje e cila prek kufijtë e Kosovës, shtetësinë e shpallur me Deklaratën e Pavarësisë të 17 shkurtit 2008, karakterin unitar të vendit dhe që është e rrezikshme për regjionin dhe më gjerë.
Kur Kosova është e qartë në qëndrimet e saj, dhe mendoj se pjesa dërmuese e subjekteve janë të qarta, e ka më leht edhe në Berlin edhe në Washington, ua lehtëson punën edhe miqëve tanë. IM