Isa Mustafa xhentëlmen për 8 Mars, por vazhdon të heshtë për Ushtrinë

08.03.2017 20:03:16

Kryeministri Isa Mustafa duket se ka qenë shumë i kujdesshëm dhe nuk ka harruar të urojë gratë e kabinetit qeveritar dhe ato të kabinetit të tij.

“Me rastin e 8 Marsit, u mblodhëm sot në zyrën time me disa prej pjesëtareve të kabinetit qeveritar, ministret Bajrami dhe Ahmetaj, zëvendësministret Statovci, Hajzeraj, Zogaj dhe pjesëtaret e kabinetit tim në kryeministri Vlora Dumoshi, Mybera Mustafa, Besa Kabashi-Ramaj, dhe asistentet shumë punëtore Dean dhe Edonën. Për shkak të angazhimeve në detyrat e tyre, na munguan ministret Tahiri dhe Hoxha”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në Facebook.

Mustafa ka bërë të ditur poashtu se u ka dhuruar edhe lule në shenjë respekti për Ditën Ndërkombëtare të gruas.

“Pos urimeve të përzemërta që iu përcolla, biseduam gjatë e gjerë për plotë zhvillime, shumica prej të cilave lidhen me nevojën që gruaja kosovare të ketë rol shumë më determinues në çdo pore të jetës, si garantuese e pazëvendësueshme e progresit të qëndrueshëm në Kosovë. Në fund iu dhurova nga një buqetë lulesh në shenjë respekti duke u uruar 8 Marsin. Urime edhe njëherë të gjitha grave të Kosovës”, ka përfunduar ai.

Megjithatë, kur të gjithë presin që kryeministri të deklarohet pas konferencës së presidentit Thaçi, ai vazhdon të heshtë.

Mustafa nuk ka folur as pas deklaratave të NATO-s dhe SHBA-ve për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Nuk kanë folur as ministrat e tij, as zëdhënësi… askush nga kabineti i tij.

Në anën tjetër, tashmë analistë dhe gazetarë nëpër rrjetet sociale presin deklarimin e Mustafës. Nëse do të procedojë ose jo në Kuvend projektligjin për shndërrimin e FSK-së në ushtri.