Ish-drejtuesja e AKA-së: Studentëve kosovarë nuk do t’i njihen diplomat në rrjetin EQAR

28.02.2018 17:13:32
Agjencisë Kosovare e Akreditimit është përjashtuar nga Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë. Ferdije Zhushi Etemi, ish-drejtoreshë e Agjencisë Kosovare të Akreditimit, thotë se pasojat do të bijën vetëm mbi studentët.

Në një dokument të EQAR bëhet e ditur se Agjencia Kosovare e Akreditimit është përjashtuar nga ky regjistër. Si i tillë, EQAR konsideron se Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk funksionon më e pavarur, kësisoj nuk i përmbush standardet evropiane të agjencive të akreditimit.

Kjo do të ketë pasoja vetëm për studentët, për askënd tjetër. Kështu mendon ish-udhëheqësja e AKA-së, e cila ishte përjashtuar nga ky institucion me të marrë drejtimin e Qeverisë, Ramush Hardinaj.

Ajo ka sqaruar për pasojat e mundshme që do të kenë studentët, shkruan lajmi.net.

“Diplomat e akredituara janë njohur në Evropë dhe studentët janë pranuar për vazhdim të studimeve çdo kund. Kjo tash do të ketë pasoja meqë Agjencia nuk do të jetë pjesë e rrjetit evropian, nuk do të njihen diplomat. Pra, më e keqja do të bie mbi studentët. Më këtë po shihet se ky shtet nuk ka orientim evropian, por i ka synimet dika tjetër.  Unë e di me çfarë përpjekjesh jemi anëtarësuar aty. Tash qohet qeveria dhe e shkatërron krejt atë çka është arritur dhe e rrezon për tokë reputacionin e shtetit”, tha Ferdije Zhushi Etemi për lajmi.net.

Ajo tha se kjo është bërë për interesa të ngushta të individëve.

Ndërkohë që për këtë rast ka reaguar edhe profesori universitar, Rrahman Paçarizi.

“Pas këtij lajmi nuk na vyn as liberalizimi. Përjashtimi nga EQAR do më thëne se nuk ka me pase eksperte dhe mbështetje nga ENQA. Gjithashtu, Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk do te jete e listuar ne Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë EQAR. Rrjedhimisht diplomat e Kosovës mund te mos njihen. Për pasoje kemi me pase diploma lokale. Nashta e meritojme. Kemi bo shume hajgare me arsimin’, ka shkruar profesori Paçarizi në Facebook

Sqarimi i hollësishëm i dhënë nga Komiteti i Regjistrit tregon se kanë pasur komunikim të rregullt me ministrin e Arsimit Shyqyri Bytyqi, nga i cili kanë kërkuar arsyet e shkarkimit të Bordit.

Në letrat e shkëmbyera mes ministrit kosovar dhe EQAR, Bytyqi u ka treguar atyre se shkarkimi është bërë me kërkesën e kryeministrit. Si i tillë, EQAR konsideron se Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk funksionon më e pavarur, kësisoj nuk i përmbush standardet evropiane të agjencive të akreditimit. Kryeministri Haradinaj në shtator të vitit të kaluar kishte kërkuar nga ministri i Arsimit shkarkimin e bordit të AKA-së pasi kishte konsideruar se procesi i akreditimit është përcjellë me joprofesionalizëm dhe shkelje.