Kosova edhe këtë vit ka aplikuar për t’u bërë anëtare e Organizatës Ndërkombëtare Policore (INTERPOL) dhe zyrtarët e Qeverisë kanë konfirmuar se kërkesa e saj tashmë është pranuar nga kjo organizatë.
Mirëpo menjëherë ka filluar lobimi kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë nga Serbia, ku zyrtarë të Serbisë i kanë dërguar letër sekretarit të Interpolit për të mos e shqyrtuar këtë kërkesë nga ana e Kosovës.
Ish komandanti i FSK-së, dhe njëherit njohësi i çështjeve të sigurisë, Kadri Kastrati në një intervistë për Telegrafin ka thënë se taksa mund të jetë një pengesë në anëtarësimin e Kosovës në Interpol.
“Pezullimi i taksës dhe 10 pikat e propozuara nga zoti Veseli, i hapin rrugë Kosovës drejt anëtarësimit në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtar dhe në Interpol. Nëse ne do ta pezullonim taksën, atëherë do ta kishim mbështetjen e ShBA-së dhe partnerëve tanë ndërkombëtar që të ecim përpara, dhe kjo nuk do të na pengonte edhe nëse Serbia vazhdon me retorikën e saj ta pengoj Kosovën në anëtarësimin e mekanizmave ndërkombëtar “, ka thënë ai.








































