Ish-kryeprokurori i Elbasanit refuzon të lërë detyrën; padit Arta Markun

10.01.2018 11:03:07

Ish-kryeprokurori i Elbasanit, Dritan Gina, i cili një ditë më parë u shkarkua nga kjo detyrë me urdhër të kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku do ta padisë këtë të fundit me akuzën e shpërdorimit të detyrës, duke pretenduar se shkarkimi i tij ishte i jashtëligjshëm.

Ardjan Nezha ka marre zyrtarisht detyrën në krye të Prokurorisë së Rrethit Elbasan dhe mëngjesin e sotëm është paraqitur në zyrën e tij, por të njëjtën gjë mësohet se ka bërë edhe ish kreu i kësaj prokurorie, Gina i cili edhe një ditë më parë lajmëroi se nuk kishte ndërmend ta linte detyrën duke qenë se shkarkimi i tij ishte i paligjshëm.

“Nuk braktis detyrën. Refuzoj të zbatoj vendimin e kryeprokurores së përkohshme. Unë nuk jam i komanduar. Jam i caktuar i përkohshëm dhe prokurori i përkohshëm nuk ka tagër ligjor për të më liruar nga detyra. Vendimmarrja i takon Këshillit të lartë të Prokurorisë”, u shpreh një ditë më parë Gina.