Ish-kryetari i Kllokotit dhe ish-zëvendësi i tij lirohen nga akuza për korrupsion

27.03.2019 11:04:09
Ish-kryetari i Komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq dhe ish-nënkryetari i kësaj komune, Marko Svillanoviq, janë liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Zyhdi Haziri, gjatë shpalljes se aktgjykimit ka thënë se nuk është vërtetuar se dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.

“Nga deklarata e dëshmitarit Nikolla Nojkiq në shqyrtimin gjyqësor, ka dëshmuar se janë shkelur procedurat administrative dhe se në Komunën e Kllokotit nuk ka pas depo në fillim të themelimit, nga kjo janë shkel procedurat administrative kur janë bërë veprimet nga ana e të akuzuarve, njëherit gjykata e ka marrë për bazë edhe ekspertizën financiare, ku eksperti financiar ka deklaruar se ka shkelje të procedurës administrative, por nuk është vërtetuar se është keqpërdorim detyre. Mbi këto, trupi gjykues në mënyrë unanime ka vendos aktgjykim lirues ndaj të njëjtëve”, ka thënë gjykatësi Haziri.

Ai ka deklaruar se brenda afatit ligjor, prokuroria ka të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokuroria nuk ka mundur që ta bindë gjykatën, të konfirmojë se a ka marrë dikush shërbim apo të mira materiale apo materiale tjera që janë regjistruar në emër të Komunës së Kllokotit apo në emër të dikujt tjetër, mbi bazën e këtyre, gjykata i ka liruar nga akuza”, ka thënë gjykatësi Haziri.

Sipas tij, shpenzimet e kësaj procedure penale kanë rënë mbi barrën e kësaj gjykate.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 12 dhjetor 2016, Sasha Mirkoviq, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Kllokotit, dhe Marko Svilanoviq, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kollokotit, në bashkëveprim kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar, me qëllim që të fitojnë çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër, apo t’i shkaktojnë dëm personit tjetër, në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me ligjin.

Sipas aktakuzës, Sasha Mirkoviq si kryetar i Komunës së Kllokotit dhe Marko Svillanoviq, si nënkryetar i kësaj komune, më 24 dhjetor 2010, 5 dhe 30 korrik  2011, 2 shtator 2011 si dhe 21 mars 2012, në bashkëveprim kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit personal ose për personin tjetër.

Në bazë të aktit akuzues, Mirkoviq e Svillanoviq, gjatë mandatit të tyre në Komunën e Kllokotit, i kanë shkelur ligjet e Republikës së Kosovës, duke blerë mallra, derivate të naftës dhe shërbime të servisimit të veturave në mënyrë të kundërligjshme.

Me këto veprime te të akuzuarve, prokuroria pretendon se i kanë shkaktuar dëm komunës së Kllokotit 6.890.04 euro.

Ndryshe, ish-kryetari i Kllokotit, Sasha Mirkoviq, ka disa raste në të cilat akuzohet për vepra të ndryshme të korrupsionit, për disa nga to ka përfunduar gjykimi, e për disa të tjera është duke vazhduar.