Ish-ndërmjetësi i bisedimeve: Për Kosovën më mirë të jenë në pushtet Vuçiq-Daçiq

18.02.2017 22:36:51

Flet ish-ndërmjetësuesi i bisedimeve në Bruksel, Robert Cooper. Katër vite pas arritjes së marrëveshjeve, nuk po arrihet zbatimi i tyre në terren. Njohja e Kosovës varet nga serbët, për Bashkimin Evropian me rëndësi është të themelohen marrëdhënie cilësore midis Prishtinës dhe Beogradit.

Robert Cooper një diplomat i pensionuar britanik, i cili kishte ndërmjetësuar dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel në kohën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton, mendon se varet nga vetë serbët çështja e njohjes së Kosovës.

Sipas tij, serbët dhe shqiptarët kanë përfituar nga dialogu, megjithatë kritikon zbatimin e marrëveshjeve në terren. Sa i përket veriut të Kosovës, ai vlerëson se serbët atje kanë kompetenca të gjera dhe të mjaftueshme për t’u ndier të sigurt dhe për të funksionuar mirë si komunitet.

“Çështja e njohjes së Pavarësisë së Kosovës është diçka që duhet të vendosin vetë serbët. Unë nuk jam në krye të BE-së, dhe unë nuk mundem të gjykoj, por me rëndësi është që marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit të jenë cilësore dhe funksionale”, ka thënë Cooper.

Ai për veriun e Kosovës, mendon se është pjesë e rëndësishme e marrëveshjes që parashikon kompetencat shtesë për serbët, transmeton gazetametro.net.

“Kjo vlen sa i përket emërimeve në gjyqësorin, policinë e tjerë për të siguruar që në rastet kur persona të nacionalitetit serb ndiqen nga sistemi i drejtësisë të gjykohen profesionalisht nga vetë serbët. Kjo është kompetencë e rëndësishme, për komunitetin serb atje”, thotë Cooper.

Ish-diplomati britanik me detyra në BE më tej vlerëson se Qeveria e Serbisë, e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, ka arritur më shumë se ajo e kaluara e Boris Tadiq.

“Kjo mund të tingëllojë ashpër, por administrata e presidentit Tadiç ka qenë gjithmonë shumë e vështirë për të negociuar. Tadiq ishte në dijeni se ai kishte armiq në mes të djathtëve në mesin e nacionalistëve, dhe gjithmonë ka qenë i frikësuar se ata sulmojnë atë për çdo lëvizje, sa i përket vendimeve për Kosovën. Prandaj, në një mënyrë, një koalicion i Vuçiqit dhe Daçiqit ishte partner më ideal për negociata, dhe arritje të suksesit në dialog”, vlerëson diplomati i pensionuar Cooper.

Me këtë, britaniku bënë me dije edhe një fakt që ‘Diplomacia Evropiane’ preferon një koalicion Vuçiq-Daçiq në Serbi, në zgjedhjet e ardhshme në prill, se sa një konglomerat të opozitës, i cili predikon se është pro-perëndimor dhe pro-integrimit të Serbisë në BE.

Cooper, poashtu bën të nënkuptohet se stabiliteti dhe fuqia politike është e rëndësishme në zbatimin e marrëveshjeve, dhe vlerësohet  në Bruksel më shumë se retorika, si për Prishtinën ashtu edhe për Beogradin.