Katër të paraburgosur në Qendrën e Paraburgimit në Pejë e kanë sulmuar fizikisht ish-policin Shefki Spahiu, i cili e kishte qëlluar për vdekje punëtorin e një kazinoje në Suharekë, muaj më parë.
Në bazë të shënimit zyrtar dhe deklaratat e oficerit, Gazeta Sinjali ka marrë vesh se 24-vjeçari me inicialet M.L., bashkë me 3 të paraburgosur tjerë (A.K., D.L. dhe E.B.) të dielën e 5 janarit, pas ngrënies së drekës e kanë rrahur ish-policin Shefki Spahiu. Aty kanë ndërhyrë oficerët dhe të paraburgosurit tjerë.
Si pasojë e lëndimeve, Spahiut i është dashur të marrë tretman mjekësor.
Pas rrahjes, të paraburgosurit që e sulmuan ish-policin janë veçuar për shkaqe sigurie, ndërkaq ndaj 24-vjeçarit M.L., Gjykata Themelore e Pejës ka shpallur një aktvendim duke e dënuar.
Me kërkesë të Qendrës së Paraburgimit në Pejë, në aktvendimin të cilin e ka siguruar Gazeta Sinjali theksohet se kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj Rugova ka vendosur që 24-vjeçarit nga dita e djeshme deri më 8 shkurt t’ia ndalojë vizitat nga familjarët dhe korrespodencat përmes mjeteve të komunikimit.
Sipas kryetares së trupit gjykues, Violeta Husaj Rugova, masa e tillë do të ndikojë pozitivisht te i paraburgosuri e gjithashtu do të parandalojë shkelje të tjera disiplinore dhe dhkelje të rregullave të brendshme të Qendrës së Paraburgimit nga 24-vjeçari.
Para se ta shpallte dënimin, kryetarja e trupit gjykues ka shkuar në Qendrën e Paraburgimit në Pejë dhe e ka parë ngjarjen përmes kamerave të sigurisë, e pastaj ka marrë edhe shënimin zyrtar, deklaratën e oficerit që ishte aty në momentin e rrahjes dhe deklaratat e të paraburgosurve.
24-vjeçari M.L. po mbahet në paraburgim për dy vepra penale që e përfshijnë atë në posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave psikotrope dhe analoge. Së fundi, në dhjetor atij i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj