Ish-zyrtari i Rahovecit burgoset për keqpërdorim seksual të të miturës

04.10.2016 23:05:56

Gjykata e Apelit ka dënuar me tre vjet heqje lirie ish-drejtorin për Komunitete dhe Kthim të Komunës së Rahovecit, S.K., i cili akuzohej për veprën penale keqpërdorim seksual i personit nën moshën 16-vjeçare.

Në aktgjykimin e siguruar nga KALLXO.com të Gjykatës Themelore të Gjakovës, të datës 29 prill 2016, S.K. ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej katër vitesh.

Ndaj këtij aktgjykimi ishte ankuar mbrojtja e të akuzuarit.

Në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të siguruar nga KALLXO.com, thuhet se aprovohet ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit, duke ndryshuar më pas aktgjykimin e Gjykatës Themelore përkitazi me vendimin për dënim.

Në dënimin e shqiptuar i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 14.08.2015 e tutje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Gjakovës, i akuzuari kishte pasur disa herë marrëdhënie seksuale me vajzën e mitur.