Ishte ndalur për të pushuar, mërgimtarit në Serbi ia prishin veturën dhe i kërkojnë 2,000 euro për t’ia rregulluar

05.01.2020 12:51:55

Bashkatdhetarët tanë të cilët kanë qëndruar për festat e fundvitit në Kosovë, janë duke u maltretuar jashtë mase gjatë kalimit në pikën kufitare me Serbinë.

Përkundër që po presin me orë të tëra në pikën kufitare në Merdare, atyre po iu krijohen probleme edhe gjatë rrugës.

Vetëm të shtunën janë raportuar disa raste që mërgimtarëve iu janë shpuar gomat e veturave.

Por jo vetëm kaq, një bashkatdhetar që jeton në Gjermani ka rrëfyer tmerrin që ka përjetuar gjatë kalimit nëpër Serbi.

F.S., nga Prishtina, ka thënë për Telegrafin se pas kalimit të pikës kufitare ai ishte ndalur për të pushuar në një vend ( pompë derivatesh). Dhe disa serbë, ia kishin prishur veturën duke bërë që të mos ndizej më.

“Pas një orë e gjysmë vozitje, jam ndalë me pushu në një pompë karburanti. Kisha flejt pak në kerr, edhe xhamat ishin avullu, e dheza kerrin me e nxeh pak se dojsha me vazhdu rrugë, por nuk u dhez. Kur dola jashtë disa serbë aty më thanë mos e provo se e prish më shumë,……..,(kishte vazhduar biseda)”, ka thënë bashkatdhetari.

Më pas, ata i kishin kërkuar  dy mijë euro që t’ia rregullonin veturën.

Bashkatdhetari iu kishte thënë se s’ka kaq para dhe ata e kishin zbritur çmimin deri ne 900 euro.

Për shkak që ishte ftohtë, dhe kishte dy fëmijë me vete dhe gruan, ai kishte pranuar. Më pastaj ka thënë se e kanë transportuar në një fshatë më kilometra larg pompës.

“Më thanë do ta çojmë diku për ta rregulluar. Hipëm në kamion dhe aty ishte shume ftohtë, kisha fëmijët, kam përjetuar tmerr”, rrëfen ai.

Më tej ka thënë se pasi ia kanë rregulluar veturën, sërish e kanë ngritur çmimin në 1.500 euro.

“Më thanë kerri u rregullu, duhet me pagu 1500 euro. Iu thash se nuk kam, vetëm 700 euro. Ia dhashë dhe si në kërcënim më thanë se duhet me ia sjell edhe tjerat”, ka thënë mërgimtari./Telegrafi/