Italia mbështet Shqipërinë në BE

13.10.2016 18:10:05

Kryetarja e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Laura Boldrini, ka garantuar sot se Shqipëria ka mbështetjen e plotë dhe të vendosur të Italisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

 

Në fjalën e saj në Kuvendin e Shqipërisë, ajo tha se e konsideron si një mundësi miratimin e njëzëshëm nga ky Parlament të Reformës në Drejtësi, e cila do të ndryshojë rrënjësisht sistemin gjyqësor shqiptar, shkruan albeu.

Më tej ajo shtoi se lidhjet mes Shqipërisë dhe Italisë po përjetojnë një periudhë të jashtëzakonshme intensiteti.

“Dy vendet i kanë dhënë udhë projekteve të rëndësishme të bashkëpunimit, si në aspektin ekonomik, ashtu dhe në atë të drejtësisë e të sigurisë. Italia dhe Shqipëria në fakt sot bashkëpunojnë në mënyrë shembullore në një sërë nismash të rëndësishme që lidhen me përmirësimin e rrjetit të transportit, të energjisë si dhe të sektorit agro-ushqimor. Po kaq thelbësore janë dhe veprimtaritë e përbashkëta në fushën e luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore”, u shpreh kryetarja e Dhomes së Deputetëve të Italisë.

Sa i takon aspiratës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ajo shprehu gatishmërinë e Dhomës se Deputetëve të Italisë, per ta mbështetur në këtë përpjekje.

“Shqipëria ka nevojë për Europën për të realizuar rrugëtimin e saj drejt modernizimit dhe për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik dhe social në arritjen e një synimi të përbashkët, për të gjitha forcat politike.

Por edhe Europa ka nevojë për Shqipërinë si një partnere e rëndësishme e thelbësore në stabilizimin e një rajoni që ende sot përshkohet nga tensione të rrezikshme e pështjellime nacionaliste”, u shpreh Boldrini ne fjalën e mbajtur para Kuvendit të Shqipërisë.