Izolohet Lutfi Haziri, pati kontakt me këngëtarin që rezultoi pozitiv me koronavirus

18.03.2020 11:08:14

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, është izoluar pasi që pati kontakt me njërin nga personat që rezultoi pozitiv me koronavirus.

Haziri, i cili ishte në një ambient të njëjtë me këngëtarin që rezultoi pozitiv me koronavirus, Muhamet Sejdiun nga Gjakova, përmes një postimi në Facebook ka thënë se është duke iu nënshtruar testeve të protokollit shëndetësor, shkruan lajmi.net.

Ai ka thënë se ka kërkuar që të gjithë që ishin në ambientin e njëjtë, t’i nënshtrohen testeve dhe vetëizolimit.

Deri në tejkalimin e kësaj situate, detyrën e Hazirit do ta ushtrojë nënkryetari i komunës së Gjilanit.

Postimi i plotë i Hazirit në Facebook:

Të dashur qyetarë,

Komuna e Gjilanit prej 22 shkurtit ka ndërmarrë veprimet konkrete për parandalimin e #Covid-19.

Ekipet komunale, në koordinim me të gjitha instancat lokale dhe regjionale, çdo ditë janë në luftë me këtë virus.

Meqë javën e kaluar kam qenë në ambient të njëjtë, por pa kontakt me Muhamet Sejdiun, i cili rezultoi pozitiv, unë nga mbrëmja jam vetizoluar, duke iu nënshtruar testeve të protokolit shëndetësor.

Po ashtu, u kam kërkuar të gjithëve që kanë qenë në ambient të njëjtë, t’i nënshtrohen testeve dhe vetizolimit.

Detyrën time e ushtron nënkryetari i Komunës, i mbështetur nga kryesuesi i Komisionit emergjentë të Gjilanit, të cilët kanë ekip të madh pas vete.

Besoj që bashkë ia dalim! Deri atëherë, kujdesu për veten, familjen, miqtë e lagjen, duke qëndruar në shtëpi.

Ju përqafoj shumë!.