Ja si do të duket dhe ja ku do të shtrihet Zona Ekonomike Amerikane në Gjakovë

26.06.2018 18:31:49
Qeveria e Kosovës ka miratuar, të martën, formimin e Zonës së veçantë ekonomikë amerikane, e cila është vendosur të jetë në Komunën e Gjakovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se ky vendim është marrë në bazë të propozimit të grupit punues, të cilin e ka themeluar Qeveria e Kosovës në muajin maj të këtij viti.

“Janë hapur të gjitha mundësitë që të përgatitet plani i fizibilitetit. Shpresojmë që të bashkëpunojmë edhe me USAID-in amerikan dhe kësisoj ta kemi një adresë për investitorët amerikanë, për kompanitë amerikane në Kosovë, ku do t’i gëzojnë të gjitha privilegjet, për ta bërë atraktive ekzistencën e kësaj zone për investime në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.

Ai e ka quajtur këtë si lajm të mirë ekonomik dhe që vjen në prag të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në anën tjetër, këshilltari i Haradinajt, Erolld Belegu e ka prezantuar edhe vizualisht se si do të duket kjo zonë.

Sipas tij, kjo zonë do të shtrihet, në afërsi të Aeroportit të Gjakovës, pranë rrugës magjistrale Gjakovë-Prishtinë dhe afër autostradës së ardhshme të Dukagjinit, shkruan lajmi.net.

“Këtë ide të kamotshme të kryeministrit Haradinaj që është edhe një dhuratë për aleatin tonë me të madh, SHBA, për ditën e pavarësisë 4 Korrikun, do ta realizojmë në bashkëpunim me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, ata të SHBA-ve sikurse edhe me qytetarët dhe bizneset e Kosovës dhe Gjakovës në veçanti”, thotë Belegu.

Tutje ai thotë se ideja është që këtu të vendosen biznese të mëdha amerikane të orientuara kryesisht në tregun evropian, por që kuptohet do të bashkëpunojnë ngushtë me biznese të Kosovës.

“Qeveria Haradinaj do të mundësojë kushte te veçanta duke përfshirë edhe lehtësira doganore e tatimore për të tërhequr biznese serioze amerikane për te investuar në Kosovë”, thekson Belegu.