Ja si do të jetë Tirana në 2030

28.12.2016 20:48:54

Plani urbanistik i Tiranës përmban 13 projekte strategjike për qytetin që i referohen kryesisht ndërhyrjeve në infrastrukturë dhe shtime të hapësirave të gjelbëra.

Ai parashikon edhe kritere të reja të ndërtimeve që pritet në zonat si njësia 8 dhe në bulevardin e ri në ish Stacionin e Trenit.

Ky plan urbanistik është hartuar nga 30 ekspertë, 15 të bashkisë së Tiranës dhe 15 të tjerë të studios të arkitektit italian Stefano Boeri. Në pritje të diskutimit të tij në mbledhjen e këshillit bashkiak drejtori i Urbanistikës në bashki Joni Baboçi tregon disa nga detajet e draftit voluminoz siç është ajo e kritereve të reja të ndërtimeve të parashikuara në zonën e rrugës së Dibrës, në zonën e bulevardit të ri, në ish stacionin e trenit dhe në shtëpitë e vjetra e të pashfrytëzueshme të qytetit.

Joni Baboçi: Pra tentojmë të intesifikojmë, të rrisim pak intesitetin e ndërtimit në ato hapësira ku ne kemi nevojë të ndërtohet, sepse nëpërmjet ndërtimit kemi mundësi të zgjerojmë një rrugë pak më shumë, të lirojmë një aks infrastructure. Këta nuk mund ta bëjmë sa të merremi me shpronësimet. Është shumë e qartë, mjafton të shohim kostot që kemi patur tek unaza e vogël ku kosto e shpronësimit është disa herë më e lartë se kosto e investimit kapital.

Modeli i ndërtimeve do të jëtë ai shumëkatësh por me volum të vogël në sipërfaqen e truallit. Pra në një hapësirë e truallit do të mbetet për hapësirë publike.

Joni Baboçi: Një rregull që ne vendosim me këtë plan është një koefiçent shfrytëzimi të truallit që është 45%. Pra nëse ju keni 100 metra katëror për të zhvilluar me ndërtim mund të zihet vetëm 45% e kësaj sipërfaqe. Kjo tregon që e gjithë hapësira lirohet dhe vihet në dispozicion të publikut.

Nga ekspertët e bashkisë ky konsiderohet plani i Tiranës 2030, me ndryshime të vogël që mund të bëhen çdo 5 vjet në përputhje me urbanizimin që në Tiranën kryeqytet është i vrrullshëm./Oranews/