Premtimet e qeverisë së Kosovës se në fund të vitit qytetarët e Kosovës do tu hiqet izolimi po dalin të jenë të pavërteta. Ish zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Ramadan Ilazi, thotë se tashmë janë humbur të gjitha afatet e mundshme për të përmbushur kriteret në mënyre qe në fund të vitit të ndodhë liberalizimi i vizave.
Ilazi, vlerëson se tetori ka qenë koha kur më se voni Kuvendi, do të duhej të ratifikonte marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi.
Megjithatë, ai thotë se politika është art i pamundurës dhe mund të ndodhë ndonjë zhvillim i paparashikuar, i cili do t’i mundësonte qytetarëve lëvizjen e lirë në zonën shengen.
BE, sipas tij, është e qartë se nuk ka vullnet të liberalizojë vizat me Kosovën pa i përmbushur dy kushtet, por sidomos kriterin për demarkacionin.
Ilazi, ka refuzuar të komentoj, nëse koalicioni qeveritar duhet të vazhdoj më punën nëse nuk është në gjendje të shtyje agjendat shtetërore përpara. Duke shtuar se për këtë çështje do të duhet të deklarohen partnerët e koalicionit.
Në këtë intervistë ai ka folur edhe për institutin e Brendshëm të PDK-së, i cili është funksionalizuar kohë më parë ku ai është emëruar drejtor i këtij instituti.
Krejt në fund ai ka njoftuar se nga nëntori do të jetë këshilltar i jashtëm i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.






































