Japonia i ndihmon Kosovës për ngritjen e cilësisë së ajrit

01.11.2017 19:15:53

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), të udhëhequr nga Taizo Yamada.

Në takim, ministrja i falënderoi mysafirët për miratimin e “Projektit të zhvillimit të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Republikën e Kosovës”, bën të ditur një njoftim nga MMPH.

Shteti japonez dhe JICA i kanë dhënë mbështetje Kosovës dhe Ministrisë në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, dhe tash së fundi edhe për miratimin e projektit të zhvillimit të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Kosovë.

MMPH pret që ky projekt do të këtë impakt mjaft pozitiv në ngritjen e cilësisë së ajrit në vend.

“Si Ministri jemi duke u angazhuar në realizimin e projekteve dhe aktiviteteve konkrete që do të ndikojnë në ngritjen e cilësisë së ajrit, në bashkëpunim edhe me akterët tjerë ndërlidhës institucional vendor dhe donatoret ndërkombëtar”, ka thënë Reshitaj.

Sipas MMPH, projekti i zhvillimit të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Kosovë ka të bëjë me rehabilitimin e stacioneve për monitorimin e cilësisë së ajrit që përfshinë: Përcjelljen e matjeve të cilësisë e ajrit, analizat laboratorike, trajnimin e stafit për mirëmbajtjen e stacioneve për monitorim të cilësisë së ajrit dhe kalibrimin e instrumenteve, matjen e emisioneve në impiantet me djegie të madhe, përpunimin e rezultateve të fituara nga matjet, vlerësimi i gjendjes së kaldajave dhe elektrofiltrave në TC Kosova A dhe TC Kosova B.

Komuna e Prishtinës do të jetë pilot projekt, ku do të bëhet vlerësimi i ndotjes së ajrit nga burimet e veçanta, duke përfshirë transportin, amvisërinë, shërbimet publike dhe industrinë, thuhet në njoftim.

Po ashtu do të rishikohet rrjeti i monitorimit të cilësisë së ajrit, mundësia për pajisje edhe me ndonjë stacion tjetër të cilësisë së ajrit dhe vendosja e monitorit në kryeqytet për t’u informuar edhe qytetarët me gjendjen reale të cilësisë së ajrit në vend.