Jashari i pakënaqur me respektimin e të drejtave të njeriut

06.12.2016 10:09:00

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari shprehet i pakënaqur me shkallën e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë.

Në një intervistë, për Radio Kosovën, ai tha se shkeljet e këtyre të drejtave fillojnë që nga fëmijët, të cilët detyrohen të bëjnë punë që janë të ndaluara me të drejtat ndërkombëtare e deri te pensionistët, të cilët nuk mund të realizojnë një jetë të dinjitetshme.

Sipas tij, në krye të listave si shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut vazhdojnë të mbeten gjykatat dhe administrata publike. Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, kërkon më shumë bashkëpunim me Qeverinë, Kuvendin e Kosovës, si dhe me institucionet e tjera për të adresuar shkeljet e të drejtave të njeriut.

Radio Kosova- Jemi në prag të 10 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Z. Avokat i Popullit, Hilmi Jashari, si e vlerësoni gjendjen aktuale në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut në Kosovë?

Hilmi Jashari- Kjo ka qenë njëra prej dilemave me të mëdha që kohëve të fundit e kam ngrit si shqetësim timin fillimisht kur bëhet pyetja se si është gjendja e të drejtave të njeriut në Kosovë. Gjithmonë jemi mësuar të dëgjojmë prej aktivistëve të të drejtave të njeriut, të cilët flasin me një gjuhë të përgjithësuar, edhe e cilësojnë herë si të kënaqshme, herë me pak progres, ose si jo të mirë. Unë mendoj, se tani është momenti kur Kosova duhet ta ndërrojë këtë standard të vlerësimeve të të drejtave të njeriut, sepse po flasim zakonisht me një gjuhë të gjeneralizuar dhe të përgjithësuar për këto koncepte. Prej vitit 2012 kemi fut standarde, të cilat janë të matshme me indikatorë të të drejtave të njeriut, që mund të ndihmojnë saktësisht se sa është niveli i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, apo sa është e keqe gjendja e këtyre të drejtave mbi bazën e indikatorëve. Me fjalë të tjera, bëhet fjalë për një dokument të hartuar prej Kombeve të Bashkuara, i cili përcakton drejt se si ai në praktikë matet. Ka indikatorë të prekshëm dhe të qartë që përcaktojnë se cili është niveli mbrojtjes i të drejtave të njeriut. Me fjalë të tjera, ndoshta për të qenë edhe më konkret, po flas nëse dikush dëshiron të hetojë sistemin e shëndetësisë dhe për të parë se si është gjendja atje, indikator është niveli i vdekshmërisë së foshnjave. Nëse shkalla është mbi 8, atëherë konsiderohet se gjendja është jashtëzakonisht e keqe. Nëse kjo shifër është më e ultë, atëherë gjendja cilësohet krejt tjetër ose më e mirë. Prandaj këto standarde nuk janë duke u aplikuar ende në Kosovë, dhe ne po bëjmë çmos që këtë standard ta fusim një herë e mirë në përdorim.

Ne, para disa ditësh bëmë edhe një publikim tjetër. Bëmë një matje të perceptimit të fëmijëve lidhur me të drejtat e tyre, dhe kemi nxjerrë një përqindje, e cila na tregon se cili është perceptimi i fëmijëve, se cili është mendimi i tyre se apo respektohen të drejtat e tyre. Në 70 për qind të rasteve na ka dalë që fëmijët nuk e dinë se ku duhet të drejtohen për një ankesë. Ky është një parametër apo indikator që ndihmon në hartimin e politikave.

Radio Kosova- Z.Jashari, ju jeni në krye të këtij institucioni tash një vit e gjysmë. A keni bërë ndonjë analizë për të vlerësuar nëse gjatë kësaj kohe, apo në këtë pjesë të mandatit ka ndryshuar gjendja, qoftë për të mirë apo për të keq në fushën e të drejtave të njeriut?

Hilmi Jashari- Ne kemi bërë një vlerësim të punës sonë, dhe dy prej kritereve kryesore që kemi përdor si njësi matëse kanë qenë niveli i prodhimit, apo ta quaj kushtimisht sa kemi publikuar raporte, kurse kriteri i dytë është se sa janë zbatuar këto rekomandime nga ana e qeverisë për ta treguar suksesin e punës sonë që e bëjmë. Në vitin e parë, d.m.th në vitin 2015, kemi pasur një ngritje 100 për qind në krahasim me vitin paraprak sa i përket prodhimit të rekomandimeve. Ndërsa, kur kemi bërë vlerësimin e zbatimit të rekomandimeve kemi pasur një ngritje prej 50 për qind. Sivjet jemi duke përcjellë këtë trend dhe me planifikimet që kemi deri në përmbyllje të këtij viti, unë po supozoj dhe pritjet tona janë që të kemi mbi 120 për qind rritje të prodhimit të raporteve në krahasim me vitin 2015, ndërsa në zbatimin e rekomandimeve situata për momentin është e përafërt. Mirëpo, një pjesë e madhe e raporteve dhe rekomandimeve që janë publikuar kohën e fundit janë duke u trajtuar prej institucioneve, që do të thotë se janë në proces dhe nuk do ta dimë deri në përmbyllje të këtij viti se cila do të jetë përgjigja e institucioneve publike në zbatimin e këtyre rekomandimeve. Pritjet tona janë që kjo shifër e zbatimit të rekomandimeve të jetë së paku 50 për qind.

Radio Kosova- Kush janë shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në Kosovë? Në bazë të raporteve nga vitet e mëparshme, në krye të këtyre listave vazhdimisht janë gjetur ose janë përmendur institucionet qeveritare, Gjyqësia dhe institucione të tjera publike. A ka ndryshime në këtë drejtim, z. Jashari?

Hilmi Jashari – Ky trend pasqyrohet ende në statistikat tona. Sivjet është një vlerësim se këto dy institucione, gjyqësori dhe administrata publike, ku bëjnë pjesë ministritë dhe administrata lokale janë të përafërta , d.m.th nuk dallojnë shumë mes vete dhe janë dy shtyllat e pushtetit që prijnë në ankimimet e qytetarëve dhe pretendimet ankimore për shkeljen e të drejtave të njeriut. Sa i përket sistemit gjyqësor, pjesa më e madhe ka të bëjë me zvarritjet e procedurave gjyqësore dhe një grup i rasteve ka të bëje me mosekzekutimin e vendimeve të plotfuqishme gjyqësore. Ndërsa te administrata kemi një problem shumë më të madh, për çka edhe kemi bërë një raport kohëve të fundit, të cilin ia kemi dërguar Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. Në të kemi identifikuar se ekziston një kulturë e papërgjegjësisë te administrata publike dhe nuk ekziston asnjë kontroll efektiv gjyqësor mbi vendimet që nxjerr administrata. Pra, i vetmi organ gjyqësor përgjegjës për kontrollin e administratës është Departamenti për Konflikte Administrative që funksionon në kuadër të Gjykatës Themelore dhe në Gjykatën e Apelit gjithashtu. Mirëpo, kur kemi analizuar s’e sa këto vendime kanë ndikuar në përmbajtjen e vendimmarrjes së administratës dhe sa kanë ndryshuar qëndrimet e tyre, e kemi pa se efekti ka qenë i padukshëm apo i nivelit shumë minor. Ne i kemi dërguar rekomandimet tona që janë vlerësuar shumë lart nga Këshilli Gjyqësor dhe gjyqtarët që merren me këtë punë dhe e pranojnë si të tillë. Në rekomandimet tona kemi kërkuar që të ndërrohet kjo qasje dhe që duhet të ketë efekt më të madh të sistemit gjyqësor në kontrollin e vendimeve që nxjerr administrata e nivelit lokal dhe qendror.

Radio Kosova- A mund t’i veçoni disa nga rastet me flagrante të shkeljes se të drejtave të njeriut?

Hilmi Jashari – Po kemi pasur raste, për shembull sa i përket sistemit gjyqësor kur më tepër se 13 vite është udhëhequr një procedurë gjyqësore për çështje që në rrethana normale nuk do të duhej të merrte aq shumë kohë për qytetarin. Për të qenë kjo situatë ndoshta edhe më e prekshme kemi pas momentin kur dy persona privatë kanë pasur një kontest mes veti, natyrisht kontesti ishte i natyrës civile. Edhe gjatë gjithë këtyre viteve gjykata nuk ka marrë asnjë veprim. Në momentin ku si pasojë e konfliktit të vazhdueshëm për kohë të gjatë njëri prej palëve vret palën tjetër dhe shkaktohet vdekja, atëherë ka qenë befasuese kur gjykata brenda dy ditësh pas këtij momenti pezullon procedurën gjyqësore për shkak të vdekjes së personit, që është një veprim normal që do duhej ndodh në periudha normale, por jo në situatë kur për 13 vite nuk kemi bërë asgjë dhe në momentin kur krijohet konflikti palët e zgjidhin vetë në mënyrën ma të pa pranueshme, sepse bëhet fjalë për jetën e njeriut. Kjo është diçka që neve si njerëz, hiq pa qenë Avokat i Popullit por si qytetar i vendit do të shkaktonte një ndjenjë averzioni, një ndjenjë keqardhje dhe irritimi për sjellje të tillë të autoriteteve publike. Që është totalisht e papranueshme dhe që tregon se çfarë mund të ndodhë në situatat kur kemi mungesë të intervenimit nga autoriteti publik, ose ky autoriteti nuk i kryen punët e veta të përcaktuara me ligj dhe kushtetutë, dhe çka ndodh kur qytetari e merr pastaj drejtësinë në duart e veta. Ne e kemi bërë këtë rast raport dhe ia kemi dërguar Këshillit Gjyqësor dhe kemi shfaq edhe opinion tonë dhe problemet që kanë ndodh. Ndërsa sa i përket administratës, vlen me përmend situatën kur qytetarët e këtij vendi i drejtohen administratës publike, p.sh ministrisë ,që është niveli i dytë në konflikte administrative, dhe kërkojnë realizimin e një të drejte . Tani administrata e nivelit qendror nxjerr një vendim me të cilin refuzon realizimin e asaj të drejte dhe udhëzimin që ia jep qytetarit i thotë se për këtë të ankohesh në Gjykatën për Konflikte Administrative. Qytetari me shpresën që tani mund të përmirësojë këtë veprim të administratës i paraqitet gjykatës, e cila për gati një vit e gjysmë nuk e procedon lëndën, por edhe kur e bënë lënda kthehet sërish për shqyrtim te organi i njëjtë që e ka marrë vendimin e parë. Qytetari ka prapë vullnet që të kthehet te administrata dhe prapë e merr vendimin e njëjtë pa asnjë ndryshim, ku ndryshon vetëm data kur është marrë vendimi.

Natyrisht vendimi prapë është negativ dhe këshilla prapë është të shkojë në gjykatë. Qytetari vazhdon këtë cikël, dhe kemi situatën kur qytetari tri herë brenda pesë viteve sillet në këtë rreth vicioz pa qenë në gjendje të marrë një vendim të një autoriteti publik, i cili do të prodhonte efekt në kërkesën që ka. Pra, kjo dëshmon se nuk e kemi krijuar një sistem që prodhon efekt në mbrojtjen e të drejtave të njeriut edhe pse Kushtetuta e Kosovës po e garanton qytetarin e këtij vendi s’e shteti garanton mjete juridike efektive për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ose rasti tjetër, për të cilin para disa ditësh e kemi filluar si bazë të hetimeve zyrtare dhe po shpresojmë se deri në fund të këtij muaji me nxjerr raport, e që bëhet fjalë për dinjitetin e qytetarit të këtij vendi. Është fjala që ndoshta ju ka rastisë edhe ju me pa që para Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale qytetarë apo familjarë që bartin njerëz të moshuar, dhe shpesh me në gjendje të rënduar shëndetësore, të cilët e kanë të obligueshme paraqitjen për çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë gjallë dhe kanë të drejtë të realizojnë të drejtën e pensionit. Tani, në bazë të Ligjit dhe Kushtetutës mendoj se kjo cenon rëndë dinjitetin dhe respektin për këta njerëz. Gjithashtu duhet cekur se nuk është detyrim i qytetarit, sepse kjo është e drejtë e fituar, e drejtë absolute që nuk mund të kontestohet sa herë t’i teket shtetit. Dhe nuk mundesh me vu një barrë kaq të madhe për qytetarin që të vijë të dëshmojë se nuk është duke keqpërdor një të drejtë që ia ke dhënë si shtet. Nëse ti ke ndonjë dyshim se po keqpërdoret një e drejtë që ia ka dhënë, atëherë ke për obligim ta vërtetosh atë me mekanizma shtetërorë që ke në dispozicion. Por nuk është korrekte që këta njerëz në atë moshë, dhe me gjendje të rënduar shëndetësore, të detyrohen që në kohë të ftohtë me shi e borë të lajmërohen dhe të presin me orë të tëra për me dalë një zyrtar i qeverisë me një fletore dhe një laps, të bëjë një tik në fletoren e tij dhe të thotë se tani mund të shkosh në shtëpi se po e shohim se je gjallë.

Radio Kosova- Z.Jashari, kur e keni marrë këtë post para vetes ju keni parashtruar shumë detyra dhe objektiva që synoni t’i realizoni gjatë mandatit pesë vjeçar. Sa keni arritur që t’i realizoni disa prej këtyre objektivave në periudhën e deritashme?

Hilmi Jashari- Realisht objektivi im kryesor ka qenë që të ngritët besueshmëria e qytetarëve të vendit në Institucionin e Avokatit të Popullit. E dyta ka qenë që të ngritët zbatimi i rekomandimeve të Avokatit, e treta të ngritët efektiviteti në prodhimin e raporteve të punës që ne e bëjmë, dhe e katërta që të krijojmë një bashkëpunim më të mirë me sektorin joqeveritar në Kosovë, që është një sektor mjaft i fuqishëm, që bënë një punë mjaft të mirë por që rekomandimet e tyre shpesh herë nuk gjejnë trajtim adekuat tek institucionet publike. Tanimë ajo që kemi bërë ne, te ngritja e besueshmërisë ka qenë e para që të ngritët qasja e qytetarëve ndaj institucionit të Avokatit dhe të kenë kontakte më të shpeshta me qytetarët e vendit. Të ngritët mundësia e hetimeve, jo të presim vetëm kur qytetari troket në derën tonë dhe paraqet një ankesë. Ligji i garanton Avokatit të Popullit që t’i nisë hetimet edhe mbi bazën e mandatit EX- oficio, dhe ne kemi shtuar dukshëm hetimet mbi këtë bazë. Në këto dy aspekte kemi pas ngritje të konsiderueshme në prodhim, dhe këtë vit pres që të kemi rritje të prodhimit të rekomandimeve dhe të realizimit të tyre. Edhe këtë vit pres ta tejkalojmë prodhimin në krahasim me vitin e kaluar. Ndërsa sa i përket vlerësimit të punës dhe sa kemi arrit me pas besimin e qytetarëve, asnjëherë nuk ka pasur ndonjë hulumtim të tillë. Tash jemi në bisedime me një organizatë që e kanë këtë fushë specializimi e që janë jashtë institucionit të AP. Edhe sa i përket bashkëpunimit me shoqërinë civile, edhe këtu kemi pas një progres. Këtë vit i kemi dërguar një rekomandim kryeministrit të Kosovës dhe kemi kërkuar prej tij që edhe ai do të duhej që për çdo vit t’i raportojë Kuvendit të Kosovës për punën që ka bërë qeveria në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Kjo do të ishte një mundësi e mirë për përfaqësuesit e zgjedhur të popullit për ta sfiduar kryeministrin se çka ka bërë ai në këtë fushë. Fatmirësisht kryeministri e ka miratuar këtë kërkesë dhe ka krijuar një grup ndërministror që udhëhiqet nga vetë kryeministri, dhe Avokati i Popullit është i ftuar në takim sa herë që mbahet në mënyrë që t’i ngritë shqetësimet për moszbatim të rekomandimeve nga ministrat e kabinetit qeveritar.

Radio Kosova- Kur jemi te ankesat e qytetarëve, a mund të thuhet se ka ndërgjegjësim të qytetarëve dhe ngritje të vetëdijes që të kërkojnë ndihmën e Avokatit të Popullit, dhe a kemi ankesa nga qytetarët e të gjitha komuniteteve, përfshirë edhe ata të komunitetit serb?

Hilmi Jashari- Po, ka ngritje të vetëdijes, sipas një vlerësimi tonë mbi bazën e statistikave që i shohim dhe kemi një sistem të mirë që na mundëson me pa këtë. Problemi ka qenë vazhdimisht te kategoritë më të cenueshme të shoqërisë, sepse personat ta zëmë të moshës madhore që kanë një nivel të vetëdijes dhe janë në marrëdhënie pune ose dinë me përdor internetin dhe mjetet e tjera të komunikimit, nuk e kanë problem t’i kontaktojnë institucionin.

Mirëpo gjithmonë problem kanë qenë kategoritë e cenueshme siç janë fëmijët, gratë , pjesa rurale, personat me aftësi të kufizuara dhe ata që janë të privuar nga liria. Një hulumtim që e patëm kohëve të fundit për perceptimin e fëmijëve sa i përket të drejtave të tyre, kemi pa se rreth 50 për qind prej tyre kanë deklaruar se dinë ku të ankohen, kurse me tepër se 80 për qind kanë kërkuar që në secilën komunë të ketë përfaqësues të Zyrës së Avokatit të Popullit, që është një indikator shumë i mirë për ne. Në anën tjetër, në planifikimet tona ne kemi tendencë për të zgjeruar zyrat tona në terren. Para një kohe ne vizituam pjesën veriore të Mitrovicës, ku tentuam ta zgjerojmë mandatin tonë, edhe pse kemi një përfaqësues në pjesën veriore dhe dy të tjerë në pjesën jugore të Mitrovicës. Ndërkohë gjatë vizitës që i bëmë Komunës së Leposaviqit patëm një kërkesë interesante, që të hapet një zyrë e AP në këtë zonë për shkak të distancës gjeografike ndërmjet Leposaviqit dhe pjesës tjetër në veri. Kjo është shumë pozitive, sepse tregon se komunitetet pakicë kanë besim në këtë institucionin e Avokatit të Popullit.

Radio Kosova- Dhe për fund, si mendoni se mund të përmirësohet gjendja e të drejtave të njeriut në Kosovë. A shpresoni se mund të ndryshohet kjo gjendje që është duke mbretëruar aktualisht në fushën e të drejtave të njeriut?

Hlimi Jashari – Mendoj që po, ka hapësirë jashtëzakonisht të madhe ku mund të kemi ndikim në përmirësimin e kësaj gjendjeje. E para, është një debat i mirëfilltë i përfaqësuesve të popullit në kuvend, dhe këtë e kemi kërkuar edhe formalisht në raportin vjetor të AP. Nëse ka një debat të mirëfilltë, atëherë ky do të ishte mekanizmi i parë që ndikon te qeveria për të ndërtuar politikë dhe për të zbatuar rekomandimet që jep AP për problemet e kësaj natyre. E dyta, përgjegjshmëria që mund të ketë qeveria gjithashtu ndikon. E treta është që sistemi gjyqësor të jetë më i përgjegjshëm në zbatimin e standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut edhe ato që janë të përcaktuara edhe me kushtetutën e vendit. Në anën tjetër duhet të ketë sanksionime dhe masa ndëshkuese për të gjithë shkelësit e ligjit. Nuk do të përjashtohet askush, dhe ai parimi i mirënjohur në sistemin e drejtësisë se të gjithë duhet të mbahen të barabartë para ligjit, në mënyrë që t’i japim jetë edhe kushtetutës dhe ligjit.

Përndryshe nëse kjo nuk ndodh, sigurisht se do të ballafaqohemi me sfidat e vazhdueshme ku qytetari do të jetë ai që do ta bartë barrën kryesore të padrejtësive që mund të shkaktohet në kuadër të sistemit.

Radio Kosova – Z. Jashari, ju falënderoj shumë që ndatë kohën dhe mundin që të intervistoheni për Radio Kosova dhe ju dëshiroj që në vitet e ardhshme të kemi probleme sa më pak në këtë fushë!

Hilmi Jashari – Ju faleminderit! Shpresoj edhe unë gjithashtu!