Jo veç Spanja, edhe Rumania e Qipro s’duan të jenë pjesë në samitin e BE-së ku është Kosova

30.03.2018 21:53:29
Rumania dhe Qipro i janë bashkuar Spanjës duke refuzuar të marrin pjesë në samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, i planifikuar të mbahet më 17 maj në Sofje. Arsyeja e mos pjesëmarrjes në këtë samit është pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kosovës.

Këto shtete, ashtu edhe Spanja, thonë se Kosova nuk duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë me vendet e rajonit dhe prandaj kanë refuzuar të fotografohen me përfaqësuesin e Kosovës, mëson Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe, transmeton lajmi.net.

Sipas burime të medias në fjalë, thuhet se këto tre vende kanë paralajmëruar BE-në se nuk do të marrin pjesë në samitin ku Kosova “trajtohet si një shtete ku e ardhja e integrimit evropian po i premtohet si vendeve të tjera”.

Është raportuar të premten e kaluar se Këshilli i BE-së i ka dërguar ftesat për pjesëmarrje në samit. Të mërkurën në Bruksel u takuan përfaqësuesit e vendeve anëtarë të BE-së, ku sipas burimeve të REL në gjuhen serbe, Qiproja dhe Rumania kanë konfirmuar se kundërshtojnë pjesëmarrjen e barabartë të Kosovës në samitin në Sofje më 17 maj, ku do të diskutohet në lidhje me perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Përfaqësuesit e këtyre tre vendeve nuk duan të jenë në të njëjtën tavolinë me përfaqësuesin e Kosovës dhe të refuzojnë të bëjnë fotografinë “familjare” në fund të samitit”, ka thënë burimi në fjalë.

REL mëson se Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk tashmë ka nisur negociata intensive me kryeministrin spanjoll, Mariano Rajoy, në përpjekje për të kapërcyer pengesat, megjithatë, tashmë janë hapur tre fronte.