John Bolton: Kosova vazhdon të jetë e rrezikuar nga destabilizmi

20.03.2017 23:00:13

Ish-ambasadori i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, John Bolton, një nga emrat më të njohur të Partisë Republikane, ka thënë se Kosova është e rrezikuar nga destabilizmi.

I njohur si një nga “skifterët” e Presidentit Bush, njeriu që u përfol si kandidat i mundshëm për Sekretar Shteti dhe këshilltar për Sigurinë Kombëtare, Bolton është sot një nga njerëzit më të afërt të Donald Trump.

Pak ditë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Bolton kishte deklaruar se shpallja e njëanshme e saj do të sillte destabilitet. Bëhet fjalë për shkurtin e vitit 2008.

Në emisionin Top Story në Top Channel, ai tregon nëse vazhdon t’i qëndrojë akoma asaj deklarate.

“Unë mendoj se rreziku i destabilizimit mbetet dhe ka influenca të jashtme që do të donin të shfrytëzonin tensionet që ende ekzistojnë në Ballkan, që për fat të mirë nuk kanë qenë fort të dukshme vitet e fundit. Por kjo nuk do të thotë që tensione nuk ka. Nuk duhet të nënvlerësojmë situatën, edhe pse në sipërfaqe gjërat duken të qeta dhe të patrazuara, por unë jam në dijeni që ka forca të jashtme që duan të shfrytëzojnë këtë përçarje që ka ekzistuar për një kohë të gjatë në Ballkan dhe për këtë duhet të tregojmë kujdes”, tha Bolton, për Top Channel.

Ai ka folur për SHBA-të, Rusinë, Ballkanin, Sorosin, reformën në drejtësi dhe për t’iu përgjigjur pyetjes se sa mund të ndryshojë politika e Uashingtonit ndaj Tiranës.