Juncker: Asnjë shtet nuk do të largohet nga BE-ja pas Britanisë

18.03.2017 19:19:51
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker ka thënë se nuk është i shqetësuar për shtetet tjera të Evropës që mund të largohen nga BE-ja, pasi rasti i Britanisë do t’i bëj ta kuptojnë se ky nuk është një opsion i mirë.

I pyetur nga Bild nëse ndonjë shtet tjetër mund ta ndjek rrugën e Britanisë, ai tha se kjo nuk do të ndodhë.

“Jo. Shembulli i Britanisë i ka bërë të kuptojnë të gjithë se vendimi për largim nuk është i duhuri”, u shpreh Juncker, transmeton lajmi.net

27 liderët e shteteve të BE-së, do ta nënshkruajnë një deklaratë të titulluar ‘’Evropa është e ardhmja jonë”, në një takim në Romë që do shënojë 60 vjetorin e themelimit të Bashkimit Evropian.

Duke folur për rastin e Britanisë ai tha: “Në Evropë ju duhet të hani atë çka është në tavolinë, ose ju nuk duhet të uleni fare”.

Pas largimit të Britanisë nga BE-ja, ka pasur zëra se edhe shtete tjera të fuqishme do të largohen, por që këta zëra i mohoi edhe zyrtarisht Jean Claude-Juncker.