Kaltrinē Lohaj: Zotit t ’dashnisë emrin tem ia kanë lânë

17.06.2019 10:14:16

Nuk asht dashnia jeme e parë, 
Se unë kurrë nuk i numroj dashnitë,
Nji herë kam dashnu n’bark t’nânës
Sa herë m’ka dhâne gji
Sa herë kam taku zanat e malit
Nga nji herë kam dashnu,
Edhe pas hijeve t’burrave t’huj,
Pas fjalve t’djemve shtalb,
Bile unë kam dashnu
Edhe fjaltë e ambla qi m’janë thânë,
Tu ma prek flokun e Meduzës
E ti nuk je dashnia jeme e parë
Ama s’du me t’kallxu sa t’du
Se ti s’je as dashnia jeme e fundit.

Unë nji herë kam dashnu veten teme,
E tu dasht veten teme, kam dasht Zotin
Bashkë me të kena kajt nëpër botë
E mandej unë jam lodhë e kam ik
Kam ik shumë shpejt me sy t’mbyllun
Sa mâ s’kam dasht as veten
Veç hijet e zgjume,
Para syve t’mi t’mbyllun.

Tu ik kam dashnu shumë m’katet
E shpesh kam dasht,
Qi nderi i botës me na lidhë kunorë
E kur jam nal tu vrapu
Kam dashnu qetsinë e m’u kanë bâ dy dashni
Ti nuk je as dashnia jeme e vetme
As m’kati i fundit jo
Unë s’i numroj dashnitë,
Se s’kam gishta t’mjaftushëm
Veç sonte kam me bërtit
Me e dridh zemrën tane
Qi ti kurrë mos me m’harru
E unë me ik,
Edhe pse m’duket
Qi ikja asht dashnija jeme e fundit.

Ti nëpër gjurmë m’vjen prapa,
Me numru dashnitë e mia,
Po nuk e gjen askund dashninë tande,
E bërtima jote m’çon edhe mâ larg,
Prej teje dhe prej vetes,
Atje ku rri zoti i dashnisë,
Qi emnin tem ia kanë lânë.