Nga Rexhep Kastrati
Në koalicionin e LDK-së ka kandidate të mbuluara që vijnë nga parti të tjera, dhe kjo është një çështje e zekonshme dhe që ka të bëjë me të drejtën e vetëpërcakimit të gjithë secilit. Mirëpo, kjo nuk u interpretua kështu nga mediet dhe portalet e kontrolluara nga struktura mafiozo politike, pasi që u provua të goditej LDK pikërisht në këtë pikë. Për turpin e tyre, mediet dhe portalet që për nga natyra e tyre kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes, e së këndejmi edhe me të drejtën individuale të vetëpërcaktimit, në vend se këtë çështje ta shihnin pikërisht në kuadër të të drejtave dhe lirive të njeriut, e instrumentalizuan për të cenuar pikërisht këto të drejta dhe liri individuale. Dhe është e qartë se kjo bëhet për shkaqe zgjedhore dhe në kuadër të luftës së vazhdueshme speciale kundër LDK-së, sepse asnjëherë nuk ishte problematizuar kur pjesa e shkëputur si Lëvizja për Drejtësi, ishte pjesë e Partisë së Drejtësisë, dhe kjo e fundit ishte pjesë tërësore e koalicionit me PDK-në. Dhe të njëjtet kandidate të ishin pjesë e koalicionit me PDK-në, përsëri nuk do të atakoheshin siç po ndodh tash.
Mirëpo, nëse çështja e të mbuluarit të kandidateve të caktuara është çështje e të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe nuk ka të bëjë fare as me zgjedhje, dhe as me koalicione para apo paszgjedhore, janë disa çështje të natyrës zgjedhore dhe që nuk problematizohen fare: është çështja që e shtron Kelmendi i “Fjalës”, e që ka të bëjë me praninë në listën e kandidatëve të AAK-së të ndonjë organizatori të rekrutimit të shqiptarëve për në ISIS, apo edhe fakti i xhamisë në “Dardani”, në Prishtinë me lidhje me Rexhep Selimin, dhe që ishte e njohur për aktivitete të rekrutimit. Kapitull më vete janë iftaret e shtruara kryekëput për qëllime zgjedhore nga ana e Ramushit, dhe nga ana e PDK-së, e të cilat, po ashtu, nuk problematizohen fare, por jepen vetëm si lajme. Në fakt, edhe shërbime dhe agjensi të ndryshme botërore kanë parë të lidhur ekstremizmin dhe radikalizimin islamik në Kosovë me parti të ndryshme, përkatësisht me ato struktura mafiozo-plitike të identifikuara për trafiqe të ndryshme, krim të organizuar dhe për forma të tjera kriminale. Bile shumë prej tyre i kanë nxjerrë të financuara nga Serbia, nga Rusia etj., në kuadër të axhendave të tyre kundërshqiptare. Dhe këto janë çështje që duhet të problematizohen, të tematizohen dhe të medietizohen, e jo që për llogari të këtyre qarqeve, strukturave dhe organizatave të tilla kundërshqiptare të instrumentalizohen çështje që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e njeriut. Edhe në aspektin moral, edhe në atë fetar, është e turpshme që të shtrohen iftarë politikë për qëllime thjesht të luftës për pushtet të atyre që janë bosët e krimit të organizuar, të rekrutimit të njerëzve për në ISIS, dhe të rekrutë të agjenturave kundërshqiptare.








































