Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa , Avdullah Hoti: Koalicioni ynë është i natyrshëm, ka duar të pastërta

01.06.2017 19:32:33

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti gjatë tubimit në Prishtinë ka premtuar zhvillim ekonomik dhe qeverisje me duar të pastërta.

“Jam i nderuar për besimin që më është dhënë nga LDK. Këto zgjedhje pa asnjë dyshim janë referendum për të ardhmen e Kosovës, ne do ta çojmë misionin e Rugovës përpara. Kemi unitet të plotë gjatë këtyre ditëve do t’i bindim qytetarët se ne jemi alternativa e vetme për këtë shoqëri. Ne jemi bërë bashkë për të kthyer nderin dhe dinjitetin Kosovës. Jemi njerëz me duar të pastërta”, ka thënë Hoti.

Sipas tij është më e qartë se kurrë për zgjedhjen që duhet të bëjnë qytetarët.

“Unë jam i nderuar që i prijë listës për kandidatë secili më i shkolluar se tjetri. Në kohë të okupimit kanë bërë rezistencë në luftë i kanë dal zot atdheut.Do të punojmë bashkë për brezin e Republikës. Ne e kemi listën më të mirë të mundshme ata kanë listën e interesave. Koalicioni i ynë është i natyrshëm”.

Ai ke theksuar se gjatë mandatit të këtij koalicioni në qeverisje do të ketë rritje ekonomike, ulje të papunësisë, krijim të fondit zhvillimor rritje të pagës minimale dhe të pensioneve.

“Ju garantojmë të rinjve dhe të rejave se do t’i mbështesim. Nga janari 2018 i shumëfishojmë beneficionet. Përmirësim në cilësinë e arsimit të gjitha shkollat do ti pajisim me kabinete. Barna bazike për të gjithë kujdes shtëpiak për të gjithë ata që kanë nevojë. Ne kemi plan konkret për rendin dhe ligjin e luftojmë krimin dhe korrupsionin. Kemi arritur t’i ndërprejmë praktikat kriminale gjatë qeverisjes”, është shprehur Hoti.