Kandidatura që solli “armëpushimin” në LDK, Osmani dikur akuzonte Mustafën, Hazirin e Veliun se po tentojnë ta largojnë nga partia

15.09.2019 15:17:06

Vjosa Osmani është kandiduar nga Lidhja Demokratike e Kosovës si kandidate për kryeministre në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Por, kjo kandidaturë ka sjellë armëpushimin në Lidhjen Demokratike të Kosovë pas përplasjeve e polemikave të moçme brenda kësaj partie.

Të rinjtë dhe të vjetrit e LDK-së, ashtu siç raportohej në media vazhdimisht kishin përplasje mes vete – e kjo u bë edhe publike me disa prej tyre.

Rreth 3 vite më parë, në një intervistë Vjosa Osmani kishte deklaruar se askush nuk mund ta largojë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Nuk ka as Isa Mustafë as Agim Veli e Lutfi Hazir që ta shtyjnë Vjosën që të largohet nga LDK apo që të heq dorë nga lufta për ta rikthyer demokracinë në LDK”, kishte thënë deputetja Vjosa Osmani.

Veç kësaj, ajo gjithashtu kishte deklaruar se LDK-ja po tenton ta largojë atë nga lista zgjedhore për deputetë, gjë që nuk kishte ndodhur, por emri i saj ishte vendosur në pjesën e fundit të kësaj liste.

“Mendoj që LDK ka vendosur që të më largojnë nga lista. Pasi nuk e shoh problem aspak nga ana e tyre të më largojnë, atyre u intereson që rrugën e tyre ta bëjnë sa më lehtë pa asnjë kundërshtim. Për ta ndryshuar LDK-në është një luftë më  e vështirë se sa mendohet sepse është çështje e mendësisë politike dhe jo e moshës”, pati deklaruar Vjosa Osmani në atë intervistë të vitit 2016.

Përplasje publike kishte pasur direkt edhe ndërmjet Lutfi Hazirit e Vjosa Osmanit, ku i pari e kishte quajtur Vjosa Osmanin, nuse e Preshevës duke e akuzuar se “po shet mend” për vota.

“Nuk po çuditna me Armend Zemajn e Haxhi Avdylin, por po çuditna me këtë nusen e Preshevës, vendlindjes së Idriz Seferit, e cila po shet men te Boletini i Kosovës, tue harrue vendlindjen e kolosit të Karadakut që sot gjendet në Serbi.

Po i kallxoj asaj dhe krejt atyne që ‘shesin men’ për vota se qysh e kam pru simbolikisht Idriz Seferin n’Gilan, kam me e pru edhe vendlindjen e tij në Kosovë, Preshevën. Kam me e pru edhe Bujanocin, edhe Medvegjën, edhe autostradën, e edhe hekurudhën.”, kishte deklaruar Haziri në Facebookun e tij.

Vjosa Osmani i ishte përgjigjur Lutfi Hazirit duke i thënë se duhet t’i vijë marre secilit që i kontribon ndarjes së Kosovës, ajo madje e kishte quajtur bashkëpartiakun e saj të pafytyrë, gënjeshtar e mashtrues.

Gjithashtu, siç është raportuar në media, nënkryetarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu e Haki Rugova kanë qenë kundër kandidimit të Vjosa Osmanit për kryetare të partisë, e pastaj edhe për kandidaturën e saj për kryeministre.

Kjo është vërejtur edhe në shpalljen e kandidaturës nga Vjosa Osmani ku asnjëri nga dy krerët e LDK-së nuk e kishte uruar e as nuk e kishin duartrokitur vendimin e Këshillit.

Ndërkohë, tani Haziri është udhëheqës i fushatës së Vjosa Osmani dhe shef i shtabit zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës.