Kapen me 88 kg kanabis në makinë, në pranga katër të rinj nga Përmeti (FOTO)

28.05.2017 12:38:17

Katër persona përfunduan në prangat e policisë si dhe u sekuestruan 88 kilogramë drogë falë operacionit antidrogë të Policisë së Përmetit të koduar “Fundjava”.

10 pako me kanabis sativa të mbështjella me letër natriban, me peshë 88 kilogram janë gjetur në rrugën nacionale Këlcyrë-Përmet, në vendin e quajtur “Kthesa e Frashërit”, në automjetin me targa PR 0759 A, të drejtuar nga Zhulien Bezati.

Automjeti i Bezatit i ndaluar pasditen e djeshme, shoqërohej nga automjeti tjetër me targa AA 848 NC, në të cilin ndodheshin Jurgen Bezati, Maldit Bezati dhe Rei Çibuku.

Në përfundim të hetimeve të para u arrestuan Jurgen Bezati, 23 vjeç, Rei Çibuku, 22 vjeç, Zhulien Bezati, 27 vjeç dhe Maldit Bezati, 24 vjeç, që të katërt banues ne fshatin Piskovë, Përmet.

Lënda narkotike dhe dy automjetet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet ndaj të dyshuarve i kaluan Prokurorisë së Përmetit për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.