Kapet vrasësi i taksistit, e vrau me thikë për t’i marr veturën (Video)

16.12.2016 12:47:20

Është gjetur i vrarë në fshatin Greth të Kryevidhit një 65-vjeçar nga Kavaja që punonte si taksist, ndërsa policia ka ndaluar autorin e dyshuar. Që nga mëngjesi i 14 dhjetorit, Idriz Karriqi, kishte humbur kontaktet me familjarët e të afërmit.

Në bazë të kallëzimit të familjarëve, rreth orës 09:00 të së mërkurës, Karriqi ishte prenotuar nga një person i panjohur si taksi, pranë sheshit para spitalit të Kavajës, për në Kryevidh.

Që nga ai moment ai nuk u bë më i gjallë, ndërsa policia me kërkesën e familjarëve e shpalli në kërkim taksistin dhe mjetin e tij.

Sipas burimeve nga Prokuroria e Kavajës, natën e kaluar, rreth orës 22”00, Idriz Karriqi u gjet në fshatin Greth të Kryevidhit, në anë të rrugës, mes shkurreve.

Nga këqyrja e trupit të viktimës rezulton se ai është vrarë me thikë. Nga hetimet e kryera përgjatë natës së kaluar u identifikua si autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje shtetasi Musa Saraçi, 24 vjeç, me banim në Gosë të Rrogozhinës.

24-vjeçari është arrestuar nga shërbimet e policisë dhe akuzohet për vjedhje me pasojë vdekjen. Burimet njoftojnë se u gjet edhe mjeti i viktimës, një Benz 250 i bardhë me targa KJ 6844 A.