Kastrati – Xhavit Halitit: Komisioni Shtetëror për demarkacion nuk ka mundur të ndryshojë Marrëveshjen e Kumanovës, as Pakon e Ahtisarit!

27.08.2016 14:24:36

Xhavit Haliti, ka kohë që ka shprehur rezerva ndaj Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, dhe asnjëherë nuk ka thënë qartë se ku i bazonte rezervat e tij ndaj kësaj Marrëveshjeje.

Vetëm tash ka qenë më i qartë se më parë lidhur me këto rezerva, dhe nga ajo që ka thënë del se ai nuk ka asnjë arsye për të qenë, pasi që ato që thotë për Komisionin Shtetëror për Demarkacion, nuk kanë lidhje me arsyet reale se përse duhet refuzuar kjo Marrëveshjeje.

Ai thotë kështu “Ky komision kam përshtypje si ka pa disa harta dhe ka ngrënë dreka e darka, dhe nuk ka pasur fuqi dhe mundësi me ndryshuar as marrëveshjen e Kumanovës, Pakon e Ahtisarit as marrëveshjen e Vjenës që është zhvilluar në kuadër të bisedimeve“, me çka ai ka treguar se ose nuk e di, ose nuk ka argumente për të bazuar realisht rezerevat e tij ndaj Marrëveshjes për demarkacionit me Malin e Zi.

Është kështu për faktin se ky Xhaviti ia zë për të madhe Komisionit pse “nuk ka pasur fuqi dhe mundësi me ndryshuar as marrëveshjen e Kumanovës, Pakon e Ahtisarit as marrëveshjen e Vjenës që është zhvilluar në kuadër të bisedimeve”, pasi që detyra e Komisionit Shtetëror nuk ka qenë që të ndryshojë Marrëveshjen e Kumanovës, as pakon e Ahtisarit, pasi që ato janë dokumente që dalin jashtë fushës së veprimtarisë së këtij Komisioni.

Përkundrazi, janë këto dokumente që kanë imponuar edhe përmbajtjen e Marrëveshjes së Vjenës dhe marrëveshjet e tjera të Kosovës me shtete të tjera.

Xhavit Haliti e di, ose do të duhej ta dinte se demarkacioni me Maqedoninë është bërë në bazë të Marrëveshjes Beograd – Shkup të 15 marsit 2001 për demarkimin e vijës kufitare ndërmjet të ashtuqujaturës RFJ dhe Maqedonisë.

Këtë Marrëveshje e ka përfshirë ekipi i presidentit Ahtisari në Propozimin Gjithëpërshirës për Statusin e Kosovës, kurse asnjë institucion i Kosovës, dhe asnjë forcë politike në Koosvë, përfshirë edhe partitë e sotme opozitare, nuk kanë pasur fuqi që ta ndryshojnë apo ta pamundësojnë.

E nëse edhe kuvenadrë të tjerë shërbehen me këso farë argumentesh si Xhavit Haliti, vaj vatani e mjerë mileti, do të thoshte Noli.