Katari do ta vazhdojë mbështetjen për Kosovën

26.10.2017 14:52:53

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim të ngarkuarin me punë të Katarit në Shqipëri, jo rezident në Kosovë, Hashim Ibrahim Al-Sada.

Kryeministri Haradinaj e falënderoi për përkrahjen që shteti i Katarit i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat e rëndësishme që nga pavarësia dhe shtetndërtimi.

Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri e njoftoi ambasadorin Al-Sada për angazhimin e Qeverisë në forcimin dhe konsolidimin e vazhdueshëm të shtetit të Kosovës si dhe për zhvillimet dhe proceset që lidhen me agjendën euroatlantike me synim anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO dhe në BE.

Po ashtu, kryeministri shprehu gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, sidomos në fushën e investimeve dhe zhvillimit ekonomik.

Nga ana e tij, ambasadori Hashim Ibrahim Al-Sada e ka uruar kryeministrin Haradinaj për marrjen e përgjegjësive të reja, duke përcjell edhe urimet e Kryeministrit të shtetit të Katarit.

Ambasadori Al-Sada theksoi gatishmërinë e Katarit se do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën në të gjitha fushat, përfshirë përkrahjen për njohje të reja dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.