Kavajë, “kamikaz” në furgon; i devijon timonin shoferit

26.12.2016 15:11:58

Një shtetas është arrestuar nga policia pasi ka kërcënuar me jetë pasagjerët e një furgoni, në qytetin e Kavajës.

Në pranga është vënë Ferdinand Rrapaj, 48 vjeç, banues në Vlorë.

Ky person ka qenë i ulur në sediljen e parë, paralel me drejtuesin e mjetit, kur gjatë lëvizjes në superstradë, në afërsi të fshatit Blerimaj të qytetit të Kavajës, dyshohet të ketë nisur të flasë përçart dhe ka kërcënuar pasagjerët e tjerë duke u thënë: “Më njihni ju mua. Unë ju vras të gjithëve” dhe ka kapur timonin duke e devijuar mjetin.

Si pasojë, furgoni është përplasur me trafikndarësen, që ka penguar daljen e tij jashtë rrugës, gjë që do të kishte sjellë edhe pasoja në jetë njerëzore.

Drejtuesi i mjetit është munduar të mbajë kontrollin e tij dhe ka arritur ta ndalojë mjetin. Pasi furgoni ka ndaluar, shtetasi Ferdinand Rapaj ka tentuar të largohet, por është mbajtur nga pasagjerët dhe më pas është arrestuar nga policia.