Kelmendi kërkon seancë të jashtëzakonshme për lirimin e Thaçit

01.10.2016 22:44:12

Kryetari i Partisë Fjala, Gëzim Kelmendi ka kërkuar që të mbahet një seancë e jashtëzakonshme parlamentare, për lirimin e drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, Nehat Thacit.

Ai thotë, se kjo seancë do ta dëshmoj seriozitetin, angazhimin dhe përkushtimin tonë si deputet të Kuvendit të Kosovës, shkruan lajmi.net.

“Njëherit do të bëhet tregues i qartë për Qeverinë tonë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë se Kuvendi i Kosovës si institucioni më i lartë i shtetit tonë, është i gatshëm çdo ditë ( përfshi edhe të dielën) të punoj për qytetarët e Kosovës, të mbroj dhe të i përfaqësoj denjësisht ata”, shkruan Kelmendi.

Ky është postimi i plotë i Gëzim Kelmendit në Facebook:

“Seancë të jashtëzakonshme parlamentare për lirimin e Nehat Thaçit

I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli,

Kërkoj nga ju që nesër paradite të ftoni mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit dhe të caktoni pasdite në ora 17:00 seancë të jashtëzakonshme parlamentare për lirimin e Drejtorit Rajonal të Policisë së Kosovës Nehat Thaçit, i cili padrejtësisht është arrestuar nga Policia e Sërbisë dy ditë më parë.

Seanca e nesërme parlamentare, do të dëshmon seriozitetin, angazhimin dhe përkushtimin tonë si deputet të Kuvendit të Kosovës. Njëherit do të bëhet tregues i qartë për Qeverinë tonë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë se Kuvendi i Kosovës si institucioni më i lartë i shtetit tonë, është i gatshëm çdo ditë ( përfshi edhe të dielën) të punoj për qytetarët e Kosovës, të mbroj dhe të i përfaqësoj denjësisht ata.

Ne nuk mund të kërkojmë ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare, nëse vet nuk angazhohemi dhe përkushtohemi për qytetarët tanë dhe vendin tonë.

E kërkoj këtë seancë, në këtë ditë ( e dielë) përshkak rëndësisë dhe urgjencës që ka.

Me respekt,

Gëzim Kelmendi,

Deputet i Kuvendit të Kosovës,

Kryetar i Partisë FJALA”, shkruan ai.