Kemi një klasë politike të shantazhueshme që po dëmton proceset

20.03.2018 13:52:04

Nga Rexhep Kastrati

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi ka bërë që të dalin në sipërfaqe edhe shantazhe që u bëhen individëve të ndryshëm, duke e bërë edhe këtë çështje të ngjashme me çështje të tjera, në të cilat shantazhet kanë qenë forma kryesore e detyrimit dhe ipmoinimit.

Mirëpo, po vërhehet, po ashtu, se ka tendenca që këto shantazhe të mos paraqiten si të tilla, por të paraqiten si kërcënime, edhe pse dallimet janë substanciale. Dhe një dallim substancial është se kërcënimi është formë agresive e përpjekjes për imponimin e vullnetit të atij që kërcënon, pavarësisht se personi apo personat të cilëve u drejtohet kërcënimi, mund të mos kenë asnjë cen në biografinë e tyre. Kështu, mund të kërcënohet edhe një fëmijë, edhe një grua apo burrë në moshë. Shantazhe, ndërkaq, mund t’u bëhen vetëm atyre që kanë cene në biografinë e tyre, qofshin këto që lidhen me çështje të natyrës personale, me natyrë kriminale, agjenturore, biznesore etj.

Gjatë këtyre ditëve, në fakt, më shumë kemi të bëjmë me shantazhe, sesa me kërcënime, dhe të gjitha këto janë në funksion të imponimit të vullnetit të atyre që shantazhojnë.

Fatkeqësisht klasa politike në masë shumë të madhe është e shantazhueshme dhe liria e tyre për të pasur qëndrime në bazë të vullnetit personal është shumë e kufizuar, pikërsisht për shkak të shantazheve që janë bërë dhe bëhen gjatë viteve.

Edhe gjatë mandatit të kaluar shumë politikanë, kuvendarë etj., kanë qenë të shantazhuar për të bërë apo për të mos bërë veprime të caktuara. Të tillët, këta nuk e kanë paraqitur si shantazh, por si një aksion politik atdhetar dhe për interesa atdhetare.

Në këtë legjislaturë, shantazhet janë më të ndryshme dhe fillojnë me “ciu-ciu”, që asocon në zogj, në kuptimin edhe të vogëlsësisë së tyre, edhe në kuptimin e spiunimit në strukura të ndryshme, e deri te shantazhet që po deklarohen ditëve të fundit.

Për shkak të këtyre shantazheve, shumë procese janë bërë keq, shumë të tjera po shtyhen, dhe shumë të tjera rrezikojnë të përfundojnë edhe më keq.