Kërcënimi i Greqisë, Ministria e Jashtme shqiptare thërret ambasadorin grek për sqarime

31.10.2016 21:29:08
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka reaguar në lidhje me deklaratat e fundit të diplomacisë greke, ku kërcënonte Shqipërinë me bllokim të procesit të integrimit në BE.

Reagimi i MJ:

Është rasti të themi se habia pason habinë kur bëhet fjalë për qëndrimet e MPJ greke. Tonet kërcënuese të deklaratës dhe njohja e cekët e situatës dhe rrethanave, nuk mund të mirëkuptohen në Europën e sotme, përveçse si një mesazh i destinuar për konsum të brendshëm.

Shqipëria nuk bën dallime në respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës.

Proçedurat ligjore të ndjekura nga Bashkia Himarë, që kanë në fokus shndërrimin e qytetit të Himarës në një destinacion turistik europian, janë transparente dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Deklaratat e përseritura të MPJ greke dhe gjuha anakronike për Himarën janë të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës. Parime të cilat orientojnë veprimtarinë e institucioneve të shtetit shqiptar.

Bazuar në sa më siper e në pajtim me praktikat diplomatike, Ministria e Puneve të Jashtme ka thirrur për sqarime Ambasadoren e Greqise ne Tirane duke shprehur qëndrimin e mësipërm.