KiE refuzon kandidaturat e Shqipërisë për Gjykatën e Strasburgut

30.09.2016 16:05:04

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka refuzuar sot listën e qeverisë me tre kandidatët e paraqitur prej saj për vendin e gjykatësit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Tre kandidatët e propozuar nga qeveria, Genti Ibrahimi, Sokol Berberi dhe Ina Rama, kanë udhëtuar në Paris për t’u intervistuar nga përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, por ata nuk kanë arritur të pranohen në votim.

Nuk dihet arsyeja e refuzimit të listës në bllok, por teorikisht janë dy arsye: procedurat e brendshme të përzgjedhjes së tre kandidaturave nuk kanë qenë të ndershme dhe transparente; kandidaturat nuk plotësojnë aftësitë profesionale apo të integritetit.

Secili nga 47 vendet anëtare të Këshillit të Evropës ka të drejtën të emërojë një gjykatës në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Procesi i përzgjedhjes së tyre përfshin dy hapa: fillimisht vendet anëtare përzgjedhin dhe i propozojnë Këshillit të Evropës një listë me tre kandidatë. Pastaj Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës zgjedh prej tyre gjykatësin përkatës. Procesi i përzgjedhjes përfshin intervistimin e kandidatëve nga përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare. Tashmë qeveria shqiptare duhet të paraqesë tre kandidatura të reja. Përveç Shqipërisë, KiE ka rrëzuar këtë vit dy herë listën e Azerbajxhanit për zgjedhjen e gjykatësit që do të zëvendësojë paraardhësin e tij.