Kishin mbetur në rrugë për shkak të borxheve, familja Lajqi bëhet me banesë të re

23.04.2020 16:34:38

Në fillim të këtij muaji familja Lajqi nga Peja për shkak të pamundësive për të paguar qiranë e shtëpisë ishte nxjerrë jashtë banesës nga pronari.

Mirëpo sot falë bamirësve kjo familje është bërë me banesë të re.

Raportimi i RTV Dukagjinit preku shumë persona ndër të edhe Halil Kastratin i cili me “Jetimat e Ballkanit” dhe bamirës të tjerë arritën t’ia blejnë banesën kësaj familje që ishte në gjendje të vështirë.

Kastrati për RTV Dukagjinin thotë se sot në prag të Ramazanit ka dashur ta gëzojë këtë familje me një banesë.

“Ne gjithmonë jemi të lumtur kur jemi shkaktarë të ndryshimit të jetës së shumë familjeve si kjo e familjes Lajqi. Për këtë familje ne jemi njoftuar përmes stories së RTV Dukagjinit. Ka qenë prekëse. Na kanë thirrur shumë veta përfshirë edhe Komunën e Pejës dhe rezultati është ky që po shohim sot”.

Familjen Lajqi e kishte strehuar përkohësisht këngëtari Nadi. Ai ka thënë se po ndjehet i lumtur që kjo familje sot ka banesën e vet.

“Nuk ka ma mirë se kur ke mundësinë apo të gjesh mundësinë për të bërë mirë. Sot më është realizuar një dëshirë dhe një ëndërr që prej një muaji më ka munduar. Sot e mora lajmin nga hoxha Halil Kastrati dhe shoqatës “Jetimat e Ballkanit”. Nuk e di a do të isha gëzuar për vete më shumë se që jam gëzuar për këtë familje”, deklaroi Nadi.

Në anën tjetër kryefamiljari Shqiprim Lajqi ka rrëfyer emocionet që ka përjetuar për këtë ngjarje të madhe për të.

“Jam shumë i lumtur. Zoti i shpërbleftë të gjithë ata që më kanë ndihmua. Nuk kam besuar se do të bëhem me banesë por Zoti i madh dhe Atij i kofshim falë”, deklaroi Shqipërim Lajqi.

Ndryshe, shoqata “Jetimat  e Ballkanit” për blerjen e kësaj banesë kanë dhuruar 30 mijë euro, ndërsa pjesën tjetër e kanë siguruar humanisti Adnan Hyseni dhe këngëtari Nadi.