Kjo është përgjigjja e ambasadës amerikane në Shkup për hetimet ndaj saj

28.02.2017 16:20:30

Ditët e fundit, ambasada amerikane në Shkup ka qenë cak i sulmeve mediale proqeveritare, të cilat e kanë akuzuar për përzierje në çështjet e brendshme të vendit, duke e ndërlidhur edhe me fondacionin që udhëhiqet nga George Soros, njofton Telegrafi Maqedoni.

Këto media u bënë më të zëshme për faktin se disa kongresmenë i janë drejtuar ambasadës me disa pyetje, përmes të cilave kërkojnë sqarime rreth aktiviteteve të ambasadës në Maqedoni.

Më e fundit është ajo e shtatë kongresmenëve të cilët kërkojnë auditim dhe hetim për Ambasadën amerikane në Shkup, pasi që dyshojnë se ka patur tentime që nëpërmjet mediave, të ndikohet në çështje ndërpartiake në të mirë të partive të majta, kurse dyshojnë se në këtë veprim është përfshirë edhe USAID-i.

Në lidhje me këtë, Telegrafi Maqedoni iu drejtua ambasadës amerikane, për të patur një qëndrim konkret rreth këtyre hetimeve.

”Ashtu siç e kemi thënë edhe më parë, ne mirëpresim çfarëdo diskutimi me kongresin”, u përgjigjën nga ambasada amerikane në Shkup.