Kjo është ura që u përurua sot ku serbët e veriut dështuan ta ndalonin kryeministrin Mustafa

02.12.2016 16:18:19

Investimi më i madh në Kosovë nga KFOR-i në vlerë të 400 mijë eurove, është bërë në urën e re mbi lumin Bistrica e cila u hap sot për kalim në veri të Kosovës.

Për këtë rast serbët bllokuan autostradën Prishtinë-Rashkë për shkak të vizitës së kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Zyrtarët duke përfshirë edhe kryeministrin Mustafa janë detyruar të përdorin një rrugë alternative për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së urës nga KFOR-i, transmeton lajmi.net.

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major, Giovanni Fungo ka thënë në ceremoni se ura është e projektuar nga një kompani e zotëruar nga një serb dhe nga një shqiptar i Kosovës.

“Ura e re është një shembull konkret i bashkëpunimit midis NATO-s, institucioneve dhe të gjitha komuniteteve”, ka thënë Fungo, duke vënë në dukje se hapja e urës është një promovim i paqes, prosperitetit dhe zhvillimit të Kosovës.

Ndërtimi i urës është financuar nga vendet e NATO-s, është ndërtuar sipas të gjitha standardeve evropiane dhe pritet të siguroj një lidhje më të mirë dhe më të sigurt të trafikut dhe këmbësorëve.

Kjo tregon se KFOR-i luan rol të rëndësishëm në sigurimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt në lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.