Kjo qeveri e cila nuk e reflekton vullnetin e qytetarëve që votuan në zgjedhjet e fundit

20.12.2018 21:45:17

Nga Levizja per drejtësi

Faza e ashtuquajtur përfundimtare e bisedimeve, që nga fillimi i saj deri më tani ka ndryshuar në koncept, në qëllim dhe në kornizë. Filloi për çështje teknike, po përmbyllet me tema politike. Filloi në mes grupeve profesionale, vazhdoi me president dhe tani po inkuadrohet edhe grupi i negociatorëve të përbërë nga përfaqësuesit e subjekteve politike. Filloi në Bruksel, po zhvendoset drejt Uashingtonit dhe Moskës.

Kjo qeveri e cila nuk e reflekton vullnetin e qytetarëve që votuan në zgjedhjet e fundit, krijoi hapësirë për presidentin në bisedime, i cili zëvendësoi negociatoren e cila printe me një grup profesional. Gjatë kësaj periudhe qeveria aktuale me arsyetime të mendësisë provincial mbeti indiferent dhe e ngarkoji presidentin me kompetenca antikushtetuese.

Marrëveshja përfundimtare ka disa alternativa të përfolur, por çdo njëra në vete nuk përfill gjurmët e luftës, gjenocidit, dhunës, shkatërrimit, vrasjes dhe torturave, gjegjësisht nga Serbia nuk kërkohet përgjegjësi për të bërat e tyre në vendin tonë ndaj civilëve të pafajshëm. Tokat shqiptare janë element të bisedimeve, ne përsëri do të bëjmë kompromis, ata përsëri në emër të të bërave të tyre do të joshen, mjaftojnë vetëm të tregohen si viktimë.

Ndërsa, shqetësuese mbeten lëvizjet politike, paraqitjet politike dhe vizitat politike, sikur kanë për qëllim të përgatitjes së opinionit për çdo lloj të kompromisit, tani edhe të deklaruara nga vet presidenti si kompromis “i dhimbshëm”.

Paraqitja e Serbisë si viktimë, ndërkombëtarëve si indiferent dhe të paanshëm ,e zyrtarëve tanë si patriot vetëm se po kontribuojnë në përgatitjen opinionit për vendimin përfundimtar në dobi të Serbisë.

Para opinionit Serbia po viktimizohet se po heq dorë nga Kosova të cilën veç e kishte humbur në vitin 1999, dhe ne po përfitojmë duke rimarrë tokat tona nga Serbia që veç i patëm çlirua në vitin 1999.

Së fundmi, jo vetëm që bisedimet devijuan por edhe lufta jonë çlirimtare po e humb kredibilitetin e saj me këtë botëkuptim politik. Serbia u bë palë përcaktuese në bisedime dhe Kosova në këto procese mbeti me lidershipin e saj të shantazhuar nga Gjykata Speciale.