KMDLNJ: Kosova ka nevojë urgjente që të miratojë Ligjin për Amnisti

09.12.2016 13:36:32

KMDLNJ thotë se Kosova si vend në një trazicion të stërzgjatur, në aktin më të lartë juridik, Kushtetutën i ka përfshirë të gjitha dokumentet relevante ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, që nga Deklarata Universale e KB – së e deri te Konventat evropiane dhe ndërkombëtare që e rregullojnë këtë fushë të ndjeshme që shpesh ndërlidhet edhe me sigurinë e vendit.

Komunikata njofton se të drejtat e njeriut në Kosovë më së shumti u shkelen grupeve të cënueshme apo të margjinalizuara siç janë fëmijët, të moshuarit, pjesëtarët të komunitetit pakicë, personave të zhvendosur, atyre që kërkojnë drejtësi dhe informata për anëtarët që i kanë të zhdukur apo të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, komunitetit LGBT , personave me aftësi të kufizuara, personave të privuar nga liria.

KMDLNJ thotë se të burgosurit nuk kanë një ofertë të qartë nga shteti se çka përfitojnë nga sjellja e mirë e tyre prandaj demotivohen që në ditën e parë të vuajtjes së dënimit.

“Ata më tutje dekurajohen kur shohin se përfituese e beneficioneve është një kategori që nuk e meriton këtë”, thuhet në njoftim.

“Kosova ka nevojë urgjentisht të miratojë Ligjin për Amnisti në mënyrë që të vendoset një rregull dhe e drejtë në burgjet e Kosovës, e munguar deri më tani me ç’rast duhet të merret si model dhe praktikë rasti i Shqipërisë”, thotë KMDLNJ.

KMDLNj, propozon që deri në miratim të Ligjit për Amnisti të bëhet një zgjidhje e ndërmjetme duke ua llogaritur të gjithë të dënuarve 9 muaj burg sa një vit kalendarik prej 12 muajve.

Kjo është komunikata e plotë:

Dita ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, 10- të Dhjetori, shënohet si ditë e cila identifikohet me të drejtat e njeriut përkatësisht me shkeljen e këtyre të drejtave që bëhet nga shumë vende të botës përkundër faktit se i kanë ratifikuar të gjitha dokumentet ndëkombëtare për mbrojtjen, përparimin dhe promovimin e këtyre të drejtave që nënkupton se ratifikimi i këtyre dokumenteve ka karakter detyrues.

Kosova, si vend në një trazicion të stërzgjatur, në aktin më të lartë juridik, Kushtetutën i ka përfshirë të gjitha dokumentet relevante ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, që nga Deklarata Universale e KB – së e deri te Konventat evropiane dhe ndërkombëtare që e rregullojnë këtë fushë të ndjeshme që shpesh ndërlidhet edhe me sigurinë e vendit.

Të drejtat e njeriut më së shumti u shkelen grupeve të cënueshme apo të margjinalizuara siç janë fëmijët, të moshuarit, pjesëtarët të komunitetit pakicë, personave të zhvendosur, atyre që kërkojnë drejtësi dhe informata për anëtarët që i kanë të zhdukur apo të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, komunitetit LGBT , personave me aftësi të kufizuara, personave të privuar nga liria, etj.

KMDLNj, gjatë këtyre ditëve ka qenë pjesë e aktiviteteve në mbrojtje të drejtave të grupeve të margjinalizuara që ndërlidhet me 68 vjetorin e miratimit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut e OKB – së (10 dhjetor 1948) dhe 27 vjetorit të themelimit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (14 dhjetor 1989) ndërsa , për 10 dhjetor angazhimi i KMDLNj –së identifikohet në një grup të margjinalizuar, personat e burgosur dhe të dënuar të cilët nuk kanë përfituar asgjë nga shteti, në mungesë të Ligjit për Amnisti, sikur që kanë përfituar të burgosurit e vendeve të rajonit.

Personat që bien në kundërshtim me ligjin dënohen me burg për vepra të kundërligjshme mirëpo ata nuk duhet të dënohen përsëri gjatë vuajtjes së dënimit duke u përjashtuar nga e drejta për falje dhe përfitime tjera.

Kosova është një vend që ka pësuar një ndryshim rrënjësor të sistemit duke kaluar nga një sistem i dhunshëm (regjimi i Serbisë), në një sistem gjysëmdemokratik ( faktori ndërkombëtar me fuqi vendimarrjeje dhe faktori vendor në detyrim zbatimi) me qëllim të instalimit të një sistemi demokratik e që po has në vështirësi të mëdha, si nga jashtë , po ashtu edhe nga brenda.

Të burgosurit në Kosovë, që nga përfundimi i luftës kanë kërkuar të drejtat e tyre që u takojnë me ligjet në fuqi por ato u janë mohuar në të shumtën e rasteve. Për këtë arsye ka pasur kundërshtime të organizuara të të burgosurve sikur që ishte greva e urisë, mbyllja në dhoma dhe pavijone deri te kërcënimi për rrezikimin e sigurisë personale dhe të përgjithshme të burgjeve të Kosovës. Rasti më i rëndë, i cili kishte hetim gjysmak dhe asnjëherë nuk u adresua përgjegjësi tek ata që e shkaktuan trangjedinë ishte rasti i shtatorit 2003 kur, në kërkim të drejtave për të burgosurit ku kërkesa për Amnisti ishte ndër kryesoret, pas asnjë arsye intervenuan forcat e sigurisë me ç’rast humbën jetën katër (4 ) të burgosur ndërsa rëndë e lehtë pësuan 100 të tjerë. Vlen të theksohet se ndërmjetësues midis autoriteteve ( kryesisht ndërkombëtare) dhe të burgosurve ishin Avokati i Popullit dhe KMDLNj dhe pasi u arrit marrëveshja për mosinntervenim, ajo u thye, pati përfundim tragjik dhe askush nuk u dënua për këtë krim që nuk arsyetohet me asgjë.

Të burgosurit nuk kanë një ofertë të qartë nga shteti se çka përfitojnë nga sjellja e mirë e tyre prandaj demotivohen që në ditën e parë të vuajtjes së dënimit. Ata më tutje dekurajohen kur shohin se përfituese e beneficioneve është një kategori që nuk e meriton këtë.

Ky trajtim i të burgosurve apo mohim i së drejtës për përfitim të beneficioneve, faljes nga Presidenti e sidomos mungesa e Ligjit për Amnisti , në masë të madhe e ka penguar dhe vështirësuar punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës, nga oficeri korrektues i pavijonit deri te strukturat më të lartë udhëheqëse të cilët kanë përgatitur dosjet e kompletuara të atyre që kanë bërë kërkesë për falje dhe në disa raste nga 650 – 700 kërkesa, të dorëzuara apo të shqyrtuara janë falur 2 – 3 të dënuar!

Kjo ka ndikuar dhe po ndikon në rritjen e tensioneve brenda institucioneve të paraburgimit dhe atyre korrektuese duke i vënë në situatë të rëndë pikërisht ata që më së paku ose fare nuk vendosin për faljen e të burgosurve, oficerët korrektues dhe manxhmentin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Deri më tani situata është mbajtur nën kontrollë në saje të premtimeve për miratimin e Ligjit për Amnisti i cili deri më tani nuk është miratuar nga përgjegjësit dhe ndërmjetësimit të OJQ – ve që monitorojnë këto qendra , që në radhë të parë interesohen për të drejtat e personave të privuar nga liria sikur edhe për stafin korrektues në rast se u shkilen të drejtat e tyre.

KMDLNj e përkujton opinionin në Kosovë se falja, shkurtimi i dënimeve dhe beneficionet për të burgosurit në vendet e rajonit është shndërruar në rregull, në standard që zbatohet në rast të datave me rëndësi apo në përfundim të vitit. Shqipëria, përkatësisht qeveria shqiptare me propozim të ministrit të Drejtësisë z. Ylli Manjani i liroi nga vuajtja e dënimit 1000 të burgosur, ndërsa ua uli dënimet 3000 të burgosurve të tjerë që nënkupton se 4000 të burgosur përfituan nga mëshira e shtetit.

Kosova ka përafërsisht 1800 të burgosur kurse falja nga Presidenti, deri më tani më shumë mund të llogaritet si dënim shtesë se sa një akt mëshire i të parit të shtetit.

Kosova ka nevojë urgjentisht të miratojë Ligjin për Amnisti në mënyrë që të vendoset një rregull dhe e drejtë në burgjet e Kosovës, e munguar deri më tani me ç’rast duhet të merret si model dhe praktikë rasti i Shqipërisë.

Në burgjet e Kosovës ka raste kur mbahen të burgosur të dënuar me diagnoza ku jeta e tyre matet me ditë dhe javë e jo më në muaj apo vite dhe shtteti nuk i liron ata duke ua mundësuar që ditët e fundit e jetës t’i kalojnë në familjet e tyre apo të kërkojnë mjekim me ndihmën e familjes në kohën ku shteti që i mbanë të burgosur e që ka për detyrim mbrojtjen e shëndetit të tyre, nuk as kushte minimale për trajtimin e tyre.

KMDLNj, propozon që deri në miratim të Ligjit për Amnisti të bëhet një zgjidhje e ndërmjetme duke ua llogaritur të gjithë të dënuarve 9 muaj burg sa një vit kalendarik prej 12 muajve.

KMDLNj – ë, mbështetur në përvojën e gjatë monitoruese në qendrat ku mbahen persona të privuar nga liria vlerëson se me një përzgjedhje profesionale, të paanshme dhe të mbikëqyrur, lirisht do të mund të lirohen nga vuajtja e dënimit së paku 30% e të dënuarve ndërsa të tjerëve mund t’u shkurtohen dënimet në përputhje me lartësinë e dënimit të shqiptuar , pa e rrezikuar situatën e sigurisë që nënkupton se nuk do të ndikonte në rritjen e shkallës së kriminalitetit. Në këtë mënyrë do të kursehej buxheti i Kosovës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, do të kishte kohë të këndellej dhe ta rikthejë kredibilitetin e humbur, shpesh herë pa fajin e këtij Shërbimi.

Së fundi, është e pakuptimtë dhe jashtë çdo logjike që Kosova të jetë njëri ndër shtetet që ka filluar shqiptimin e masave alternative të dënimit, ku masa e paraburgimit shqiptohet si masë e skajshme kurse në fushën e faljeve dhe amnistisë është vendi i fundit në rajon.