KMLDNJ: Paragjykimi i rastit për dëmtimin e pllakës përkujtimore në Grackë të Vjetër

05.09.2016 15:03:16

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me anë të një komunikate reagon ndaj paragjykimit të rastit në Grackë të Vjetër. Në këtë fshat para disa ditësh është dëmtuar pllaka përkujtimore e ngritur për disa serbë të vrarë, autorët e të cilëve edne nuk janë zbuluar.

Pala serbe sidomos politikanë në Beograd dhe Prishtinë fajin për këtë dëmtim ua kanë hedhur shqiptarëve.

Komunikata e plotë e KMDLNJ-së:

Persona të pazbuluar deri më tani e dëmtuan pllakën përkujtimore për të vrarët në Staro Gracko dhe me të drejtë nxitën reagime të opinionit. Reagimet, për fat të keq ndaheshin në reagime politike dhe reagime të ngjyrosura në baza etnike që nënkupton jo seriozitetin, jo sinqeritetin dhe hipokrizinë vetëm sa për të reaguar dhe përfituar në kurriz të viktimave të pafajshme që u ekzekutuan duke punuar tokën e tyre menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë.

KMDLNj në vazhdimësi ka kërkuar zbardhjen e këtij rasti sikur që edhe ka kërkuar të mos paragjykohen kriminelët e mundshëm, pa u ditur identiteti i tyre dhe pa kaluar para organeve të drejtësisë. Sulmet dhe dëmtimet në pllakat përkujtimore, memoriale apo varreza në përgjithësi dhe dëmtimi i pllakës përkujtimore në Staro Grackë për KMDLNj – në është e papranueshme dhe e dëmshme prandaj kërkojmë hetimin e rastit dhe vënien para organeve të drejtësisë ata që janë përgjegjës për këtë sulm kundër të vrarëve dhe përpjekje për të shkaktuar frikë te të gjallët. 

 

Me këtë rast KMDLNj – ë ia përkujton opinionit se pllaka përkujtimore në Staro Grackë është jashtëzakonisht paragjykuese duke i akuzuar shqiptarët për këtë krim monstruoz pa u zbuluar fajtorët, është fyese ndaj të gjithë shqiptarëve sikur që e dërgon një mesazh të keq sepse e përhap gjuhën e urrejtjes në baza etnike.

Për këtë arsye KMDLNj kërkon që Qeveria e Kosovës ta bëjë amendamentin e Ligjit për Memoriale në mënyrë që të mos lejojë që në pllaka përkujtimore – varreza memoriale të ketë përmbajtje të gjuhës së urrejtjes në baza etnike, politike, fetare apo racore dhe të sanksionohet çdo porosi e përdorimit të gjuhës së urrejtjes.

Është jonormale që të tolerohet përdorimi i gjuhës të urrejtjes në kohën kur po flitet për ballafaqim me të kaluarën dhe pajtim eventual. Qeveria e Kosovës duhet të formojë një ekip i cili do të identifikonte rastet ku përdoret gjuha e urrejtjes dhe në përputhje me të ta zbatojë ligjin kundër të gjithë shkelësve pavarësisht përkatësisë etnike, bindjeve politike, statusit shoqëror, përkatësive fetare dhe racore nëse duam që të parandalohen sulmet dhë dëmtimet sikur që ndodhi në pllakën përkujtimore në Staro Grackë dhe në lokacione tjera ku ishin dëmtuar pllakat përkujtimore të heronjve të UÇK – së!

Reagimet e kanë efektin momental dhe me këto edhe mund të manipulohet kurse vetëm ligji mund dhe duhet të vendosë rregull në këtë fushë të ndjeshme të marrëdhënieve ndëretnike.