Koci i quan shpifje shkrimet e mediave serbe për Haradinajn

30.11.2016 13:05:37

Avokati i kryetarit të AKK-së Ramush Haradinaj, Arianit Koci, në një komunikatë për media ka deklaruar se me informatat e pavërteta është denigruar dinjiteti njerëzor i Haradinajt.

Koci ka thënë se është në përgatitje të padisë ndaj redaksisë së gazetës “Blic”, transmeton lajmi.net

Ja njoftimi i plotë i avokatit Koci:

Klienti im, z. Ramush Haradinaj, në dy ditët e fundit është bërë subjekt i gazetës “Blic” dhe mediave tjera serbe, të cilat e cilësojnë atë si kontrabandues të armëve nga Serbia dhe drejtues të një prej klaneve më të fuqishme të krimit në Kosovë.

Përmbajtja e artikujve të publikuara përbëjnë shpifje dhe fyerje ndaj personalitetit të z. Haradinaj duke e cenuar rëndë nderin e tij personal dhe familjarë.

Me publikimin e informatave të pavërteta, redaksia e gazetës “Blic” qëllimisht e ka denigruar dinjitetin njerëzor të z. Haradinaj, duke shkelur në mënyrë flagrante etikën e gazetarisë dhe vlerat e mbrojtura në çdo shoqëri demokratike.

Jam në proces të përgatitjes së padisë për shpifje, fyerje dhe kompenzimin e dëmit jomaterial kundër gazetës “Blic”. Në mes tjerash, do të kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të publikimit të informatave të rrëme nga gazeta në fjalë, tërheqjen e artikujve të publikuar dhe kërkim falje publike nga redaksia e gazetës “Blic” nga Serbia.