Kolinda Grabar-Kitaroviç: Shqipëria mike në kohë të vështira, luftuat për lirinë e Kroacisë

18.07.2018 23:41:27

Nga godina e Presidencës, krah Kreut të Shtetit Ilir Meta, homologia e tij kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç vlerësoi maksimalisht popullin shqiptar për mbështetjen gjatë luftës me Serbinë. E ndodhur në Shqipëri për një vizitë dy ditore, Kitaroviç u prit në një ceremoni zyrtare nga Meta dhe së bashku theksin në konferencën e përbashkët për shtyp e vendosën tek miqësia shekullore.

“Kroacia dhe Shqipëria kanë një miqësi mjaft të hershme dhe kjo vërtetohet nga shumë momente të rëndësishme historike. Falënderoj miqtë tanë kroatë, që na kanë mbështetur pa kushte në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”, tha Meta në konferencë për shtyp.

Në anën tjetër, duke kërkuar forcimin e bashkëpunimit dypalësh jo vetëm ekonomik, Kitaroviç kujtoi se ishin shqiptarët ata që i qëndruan në krah vendit të saj.

“Shqipëria ishte miku i Kroacisë, atëherë kur miqtë ishin të paktët. Dialogu ynë ka lindur që në vitet e para të pavarësisë tonë dhe ne sot diskutuam për të fuqizuar edhe më tej bashkëpunimin mes dy vendeve. Ju ishit aty gjatë luftës dhe mbrojtjes tonë ndaj agresionit në vitet e para të pavarësisë”, deklaroi Kitaroviç.

Ajo e vendosi fokusin te komuniteti shqiptar në Kroaci, duke thënë se janë shembulli i lidhjeve tona të forta dhe këtë e treguan kur luftuan për lirinë e Kroacisë.

“Në 18 mijë shqiptarët që jetojnë në Kroaci, 2500 prej tyre ishin vullnetarë në luftën e Kroacisë dhe disa humbën jetën e të tjerë u zhdukën. I jemi mirënjohës popullit shqiptar për kontributin në lirinë e vendit tonë”, theksoi Kitaroviç.