Komandot nisen drejt Afganistani, Xhaçka: Rrisim prezencën tonë në Afganistan

23.12.2017 10:17:02

Kontingjenti i 6-të i Forcave të Armatosura është nisur drejt Afganistani, ndërsa Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhacka tha se Shqipëria do të rrisë prezencën në Afganistan me 60% vitin e ardhshëm. Ajo ndër të tjera deklaroi se misione të tilla tashmë janë shndërruar në një simbol profesionalizimi. “Përfaqësimi në këto misione është shndërruar tashmë në simbolin e profesionalizmit dhe të përkushtimit të ushtarakëve tanë” – tha Xhaçka

“Ky është një moment që na bën të ndihemi krenarë për arritjet tona, si dhe për kontributin, që ne si FA japim përkrahë aleatëve tanë për vendosjen e paqes, sigurisë dhe kthimit të normalitetit në një pikë shumë të nxehtë të globit.

Ceremoni të tilla, të përcjelljes së kontingjenteve në misionet e radhës, mbartin në vetvete një konstante të vazhdueshme, atë të vlerës së shtruar, të rritjes së përvojës, të rritjes së profesionalizmit të trupave tanë në teatrin e operacioneve.

Mbetemi të angazhuar për të vijuar kontributin duke rritur me 60% prezencën tonë në Afganistan për vitin 2018, duke ju përgjigjur kështu pozitivisht strategjisë së re të presidentit Trump mbi Afganistanin. Përfaqësimi në këto misione është shndërruar tashmë në simbolin e profesionalizmit dhe të përkushtimit të ushtarakëve tanë” – tha Xhaçka.

Një surprizë e këndshme iu rezervua gjatë ceremonisë, një prej efektivëve që u nis drejt Afganistanit, Eligert Çelajt, i cili festoi 24 vjetorin pak minuta përpara se të udhëtonte drejt Heratit.