KOMF dënon abuzimin seksual të nxënëses së mitur në Drenas

06.02.2019 22:07:27

Koalicioni i Organizatave joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), ka reaguar lidhur me rastin e keqpërdorimit seksual të një të miture në Drenas.

Një e mitur në Drenas u raportua se është keqpërdorur seksualisht nga mësimdhënësi i saj dhe një hetues policor. Sot, hetuesi policor është arrestuar, ndërsa mësimdhënësi është risuspenduar nga puna.

KOMF për këtë rast ka kërkuar që të merren masa të menjëhershme, ndaj atyre që kanë bërë shkelje ligjore dhe etike, transmeton Telegrafi.

“Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF dënon ashpër abuzimin seksual të nxënëses, të miturës nga Komuna e Drenasit nga të dyshuarit dhe kërkon masat e menjëhershme ndaj tyre të cilët në bazë të obligimeve të tyre ligjore dhe etike, do të duhej të siguronin dhe ofronin mbrojtjen e fëmijëve”, thuhet në reagim.

KOMF i ka bërë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Gjykatës të ndërmarrin të gjitha masat për të sjellur para përgjegjësisë dhe për të ndëshkuar të dyshuarit për veprat penale përkatësë (abuzim seksual me fëmijë, keqpërdorim i detyrës zyrtare e të tjera)”, thekson koalicioni.

“KOMF kërkon nga institucionet komunale në komunën e Drenasit të ndërmarrin në mënyrë të menjëhershme të gjitha masat dhe shërbimet e nevojshme për të siguruar mbrojtjen, rehabilitimin dhe re integrimin e viktimës fëmijë. Shërbimet ti ofrohen edhe familjes, për të siguruar që familja është një mjedis mbështetës, pranues dhe jo diskriminues, i cili gjithashtu i shërben rehabilitimit dhe re-integrimit të viktimës”, thuhet në komunikatë.

Sipas këtij koalicioni, abuzimi i tillë seksual, lë pasoja afatgjata te fëmijët.

“Abuzimi seksual i fëmijëve është forma më e rëndë dhe ekstreme e abuzimit ndaj fëmijëve. Ai lë gjurmë e pasoja afatgjata tek fëmijët, shkakton dëm fizik e psikologjik shumë të rëndë, afekton zhvillimin dhe të ardhmen e fëmijës”, përfundon reagimi i KOMF.