Komisioni i Konkurrencës nuk merret me bankat, pavarësisht dyshimeve

26.08.2016 11:46:15

Bankat në vend kanë kamata dhe shërbime shumë të përafërta me njëra-tjetrën, dhe sado që i kanë ulur kamatat për kreditë, norma mesatare për kredi është 9.2 për qind, kurse për kursime 1.1 për qind. Kamatat janë me të lartat në rajon, ndërsa disa banka kanë kamata edhe me të larta sesa bazat e tyre në shtetet e Evropës.

Por, Komisioni i Konkurrencës nuk e ka në planë që të bëjë ndonjë investigim lidhur me ndonjë marrëveshje të mundshme që mund ta kenë bankat komerciale për çmimin, apo për ndonjë pozita monopoliste të mundshme të disa bankave.

Valon Prestreshi, kryetar i Komisionit, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës në një prononcim për lajmi.net, ka thënë që nuk  dëshiron të spekulon rreth sistemit banke, nëse ato kanë ose nuk kanë ndonjë marrëveshje të bashkërenduar apo keqpërdorim të pozitës dominuese në kamata apo shërbime tjera bankare. Pasi, siç ka thëne ai, për këtë duhet investigim.  Ai ka thënë që një të tillë nuk ua ka kërkuar askush, dhe se për momentin janë të fokusuar në gjera të tjera.

“Mund te them se nëse pranojmë ndonjë kërkesë, propozim, kundërshtim ose ndonjë paraqitje tjetër në formë të shkruar, nga çdo person fizik apo juridik, shoqatë profesionale ose ekonomike e interesit, oda ekonomike, shoqatat e konsumatorëve, Qeveria e Republikës së Kosovës, organet e administratës publike, qendrore dhe ato lokale, po ashtu edhe nëse nuk pranojmë një te tillë dhe e shohim qe ka shqetësim te madh publik, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës sipas detyrës zyrtare fillon iniciativën për fillimin e procedurës (monitorimin) dhe nëse ne afat prej 0 – 10 muaj del raporti nga hetuesit qe ka baze te fakteve. Pas këtyre, Komisioni i Autoritetit Kosovar te Konkurrencës merr konfuzion për fillimin e procedurave hetimore ndaj subjekteve afariste”, ka thënë Prestreshi.

Komisioni i Autoritetit Kosovar te Konkurrencës për shumë kohë ka qenë jo aktiv dhe shpeshherë është thënë se në Kosovë ka një treg të çrregulluar të konkurrencën. Ndërkaq, Bordi i ri është mandatar para pakë javëve dhe Prestreshi ka thënë që tashme kanë dalë me një vendim rreth dyshimeve të ngritura për çmimin e mjedrës.

“Pas ngritjes së shqetësimeve nga ana e kultivuesve të Mjedrës e gjithashtu edhe Autoritetit Publik gjegjësisht  Kryetarit të Komunës së Podujevës mbi dyshimin e shkeljes së Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës,  respektivisht caktimin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të çmimet të blerjes ose të shitjes apo çdo kusht tjetër tregtimi në tregun relevant nga grumbulluesit e  produktit përkatës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës sipas detyrës zyrtare ka filluar  monitorimin e tregut”.

Prestreshi ka thënë se AKK ka marr për bazë tregun gjeografik në rajonin e Podujevës edhe pse për shkak të  monitorimit sa me real, mbledhjen e të dhënave e ka bërë në tërë Republikën e Kosovës,dhe se  Autoriteti ka konsultuar edhe burime tjera relevante nga rajoni për qëllim të krahasueshmerisë së çmimit të Mjedrës.

“Autoriteti ka kontaktuar grumbulluesit e kësaj kulture, të cilëve njëkohësisht  i’u kemi shpjeguar edhe për përmbajtjen e dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Megjithëse, gjatë mbledhjes së të dhënave Autoriteti nuk ka vërejtur ndonjë marrëveshje apo praktikë të bashkërenduar ndërmjet pronarëve të pikave grumbulluese. Janë kontaktuar 10 subjekte në fushën e agrobiznesit që merren me grumbullim dhe përpunimin e frutave të imëta  (Mjedra),  me ç’rast ka analizuar shkaqet e lëvizjes së çmimeve të cilat kanë variuar nga 1.60 e – 1.75 e – 1.40 e – 1.50 e – 1.30 e. Autoriteti vazhdon ende me monitorimin, analizimin dhe sjelljen e tyre në treg që potencialisht mund të bëjnë shkelje të Konkurrencës duke i’u referuar Nenit 4 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Emrat e subjekteve qe merren me grumbullimin e  mjedrës, nuk do t’i bejë publike sepse nuk jemi ne fazën e procedurave hetimore dhe mund ta dëmtojmë procesin e monitorimit”, ka thënë Prestreshi.

Shkelja e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës nga subjektet afariste konsiderohet vepër civile, shkelësit e të cilës dënohen me gjobë deri në 10% të totalit të të hyrave që ndërmarrja i ka realizuar në vitin e fundit për të cilin është përfunduar raporti financiar.