Komuna e Prishtinës: Qytetarët e kanë obligim ta pastrojnë borën para pronave të tyre

11.01.2017 11:16:44
Komuna e Prishtinës ka kërkuar nga qytetarët që të largojnë borën para objekteve të tyre, qoftë afariste apo banesore, pasi sipas Komunës, ky është obligim qytetar.

Komuna ka përmendur nenin 138 të Rregullores për Shërbime Publike, e cila përcakton përgjegjësinë për heqjen e borës në trotuareve para objekteve, qofshin afariste apo banesore, është e pronarëve, apo shfrytëzuesve të atyre objekteve.

“Qytetarët janë të obliguar që borën dhe akullin ta grumbullojnë përskaj trotuareve, ndërsa kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve janë të obliguar që borën dhe akullin e grumbulluar ta bartin jashtë qytetit, ku nuk dëmtohet prona”, thuhet në njoftimin e Komunës.

“Po ashtu, kërkojmë nga Policia e Kosovës që t’i largojë automjetet nga trotuaret, në mënyrë që trotuaret të mund të pastrohen”, thuhet në njoftim.