Komuna e Prizrenit dështoi të manipulonte një tender në vlerë mbi 50 mijë euro

27.06.2020 15:02:04

Komuna e Prizrenit që udhëhiqet nga Mytaher Haskuka, së fundmi ka tentuar që të realizojë një tender duke e shkelur ligjin që të favorizonte kompanitë të caktuara.

Fituesit e tenderit “Krijimi dhe mirëmbajtja e brendit për qytetin e Prizrenit” u shpall në kundërshtim më kërkesat që Komuna i shkroi në dosjen e tenderit dhe njoftimin për kontratë.

Po të mos ankohej në Organin Shqyrtues të Prokurimit një kompani garuese për këtë tender, Komuna do të nënshkruante kontratën me kompanitë që nuk i përmbushte kërkesat ligjore, shkruan lajmi.net.

Se e shkeli ligjin gjatë vlerësimit të fortave e ka pranuar edhe vetë Komuna.

Fillimisht në mars të këtij viti, Komuna bëri njoftim për kontratë për tenderin “Krijimi dhe mirëmbajtja e brendit për qytetin e Prizrenit”, ku vlera e parashikuar e kontratës ishte 80 mijë euro.

Komuna pranoi tri oferta.

Fitues u shpallë oferta e Grupit të Operatorëve Ekonomik :OFFICE 1 KOSOVA” SH.P.K.; “IDEA Plus Communication” me vlerë totale të ofertës 53.707,00 euro, pasi u vlerësua si ofertë që kishte plotësuar të gjitha kresat sipas dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë.

Kompania “Sfinga”Sh.p.k, kishte çmim prej 59.999,95 euro. Oferta e sajë u vlerësua si e përgjegjshme, por u diskualifikua për shkak se kishte çmim më të shtrenjtë se oferta fituese.

Oferta e tretë ishte e kompanisë N.SH. “Spinp Agency” në vlerë prej 63.580,00 euro. Kjo kompani ishte shpallur si e pa përgjegjshme në disa pika.

Komuna e pranon se bëri shkelje

Kundër njoftimit për dhënie të kontratës doli kompania e dytë më e lirë “Sfinga”, duke pretenduar se kompania e shpërblyer me kontratë nuk i ka përmbushur një serë kriteresh të cilat Komuna i kishte vendosur në dosjen e tenderit. Pas ankesës së kësaj kompanie tek Autoriteti Kontraktues, Komuna e ka pezulluar procedurën tenderuese dhe e ka shqyrtuar ankesën me pretendime. Të gjitha të pretendimet e kompanisë ankuese Komuna i ka hedhur poshtë dhe e ka lënë në fuqi vendimin e vetë. Më pas kompania “Sfinga”, si palë e pa kënaqur me vendimin e Komunës më 21 maj ka parashtruar ankesë në OSHP, duke pretenduar se prokurimi komunal ka shkelur nenin 29 të Ligjit të Prokurimit kur e ka shpallur konzorciumin fitues.

Organi Shqyrtues i Prokurimit, pas pranimit të ankesës e ka autorizuar eksperten shqyrtuese, Blerina Huruglica për të shqyrtuar pretendimet ankimore.

Ekspertja shqyrtues me datë 5 qershor ka dorëzuar raportin e ekspertizës dhe ka konstatuar që ka pasur shkelje dhe ka rekomanduar që tenderi të kthehet përsëri në rivlerësim.

Rëndom, autoritetet kontraktuese nuk e pranojnë vendimin e ekspertit shqyrtues kur është kundër tyre, dhe presin vendimin e panelit, por Komuna e Prizrenit e ka pranuar mendimin ekspertit të OSHP-së duke konsideruar kështu se ka bërë shkelje të ligjit kur e ka shpallur fituesin.

Vlen të theksohet se ekspertja ka gjetur shkelje thuajse në të gjitha pretendimet e parashtruara në komunë nga kompania ankuese, por që komuna nuk ia kishte marrë për bazë, ndërsa me mendimin e ekspertit është pajtuar.

Meqë Komuna është pajtuar me mendimin e ekspertit, Paneli i OSHP-së e ka urdhëruar Komunën që të anulojë vendimin për dhënie të kontratës dhe tenderin ta kthejë në rivlerësim dhe brenda 10 ditëve të njoftojë OSHP në lidhur me veprimet e marra për këtë aktivitet të prokurimit.

Sipas ueb faqes së KRPP-së, tek procedurat e prokurimit të AK -Komuna e Prizrenit, nuk ka njoftim të publikuar për anulim të dhënies së kontratës.

Lajmi.net ka kontaktuar edhe me kompaninë ankuese për të kuptuar nëse janë njoftuar me ndonjë vendim të komunës. “Që nga njoftimi i OSHP-së nuk kemi marrë asnjë përgjigje apo njoftim mbi ndonjë veprim nga ana e autoritetit kontraktues”, tha pronari i kompanisë “Sfinga”, Liburn Asllani.

Komuna shkeli kriteret që i kishte vendosur vetë

Prokurimi komunal kishte bërë disa shkeljesh kur e kishte shpallur fituesin. Komuna kishte pranuar që e ka shkelur ligjin vetëm pas gjetjeve të ekspertes së OSHP-së.

Ekspertja kishte gjetur se kompania në konzercium “IdeaPlus Communication” ka dorëzuar vetëm një raport të bilancit të gjendjes dhe suksesit të përkthyer në gjuhën shqipe, dhe të njëjtat nuk figurojnë në DT në gjuhën maqedone, gjithashtu mungojnë dokumentet e biznesit si: Certifikata biznesit, Fiskale dhe Vërtetimi.

Po ashtu, ajo ka gjetur se kompania e rekomanduar për kontratë ka mungesë të referencave dhe kontratave. Pra, sipas saj, kompania e rekomanduar për kontratë në DT ka ofruar një kontratë të lidhur në mes të ENV Maqedonia dhe anëtarit të konsorciumit në vlerë prej 200 mijë eurove, ndërsa në referencë nuk shkruan vlera.

Një ndër shkeljet që e ka gjetur ekspertja ka qenë se mungojnë dokumentet operativëve të shpërblyer me kontratë. Pra kanë munguar dokumentet si” Vërtetimi i ATK-së, Vërtetimi i tatimit në pronë dhe Vërtetimi i Gjykatës ekonomike. Këto dokumente janë kërkuar në dosjen e tenderit

Lajmi.net ka parë se oferta fituese ka pasur çmim jo-normalisht të ulët në para-masë të ofruar nga konzorciumi fitues, dhe për këto çmime AK-ja nuk ka kërkuar sqarime shtesë. në ofertën e tyre, ata kanë paraparë që 90 për qind e buxhetit të shpenzohet për foto dhe punët që lidhen me foto (4 pozicione). Ndërsa për 15 pozicionet tjera është ofruar çmimi 149 euro për pozicion. Pra, OE ka ofruar 149 euro për kryerjen e identitetit vizual të rajonit të Prizrenit, 149 euro për krijimi i brendbook, 149 euro për krijimin e një harte interaktive, 149 euro për krijimin dhe menaxhimin e ueb faqes për brendin e ri të Prizrenit për 1 vit, 149 për menaxhimin e rrjetit social për 1 vit me nga 2 postime në javë në Instagram dhe Facebook, 149 euro për menaxhimin e Souvenir shop për 2 vjet rresht me kosto 2 vjeçare, etj.

Ekspertja shqyrtues ka gjetur te stafi profesional se kontrata mbi vepër e Enver Sulaj është vulosur nga punëdhënësi, mirëpo nuk ka qenë e nënshkruar.

Po ashtu, ajo ka konstatuar se ka mangësi tek dokumentet e ekspertit Aleksandër Blazhevski. Sipas auditori ai ka diplome të Turizmit, mirëpo mungon kontrata mbi bashkëpunim ose dëshmia që është pronarë në këtë kompani, ashtu siç deklaron AK-ja.

Ndryshe, në vitin 2019, kompania OFFICE 1 KOSOVA ka lidhur tri kontrata me Komunën e Prizrenit, një për “Furnizim me flamuj, buqeta lulesh dhe kurora për nevojat e Komunës” në vlerë prej rreth 12 mijë euro, “Furnizim me inventar shkollorë për shkollat e Komunës” në vlerë prej 63,820.00 euro, “Furnizim me material administrativ për zyrë për nevojat e shëndetësisë primare” në vlerë prej 50 mijë eurove

OFFICE 1 KOSOVA” SH.P.K  është një kompani nga Prizreni që për aktivitet kryesore ka tregtinë me shumicë të makinerive dhe pajisjeve të tjera të zyrave. Është në bashkëpronësi të Hasan Gigollaj, i cili është edhe anëtar i Borit në Odën e Afarizmit të Kosovës, ndërsa IDEA Plus Communication është një kompani nga Maqedonia që për aktivitet kryesor ka shërbimet e marketingut. /M.B -Lajmi.net/