Komuna e Skenderajt: Dënimi ndaj Lushtakut është i orkestruar politikisht

15.11.2016 17:45:57

Komuna e Skenderajt ka bërë të ditur se e vlerëson aktgjykimin e Gjykatës së Apelit si sakandaloz dhe tendencë për të justifikuar gabimet e sistemi të drejtësisë duke e shpalluar të pafajshëm Sami Lushtakun për akuzat për vrasje, e në anën tjetër duke e dënuar atë me akuza absurde dhe të paqena. Sipas kësaj komune këto dënime janë të orkestruara politikisht.

“Dënimi pa fakte për vrasje në shkallën e parë dhe dënimi i sotëm që ndërlidhet me përgjegjësinë komanduese të z. Lushtaku janë totalisht të pabazuara dhe të pafaktuara.

Si dënimi në shkallën e parë ashtu edhe ky i sotmi janë të orkestruara politikisht më qëllim të cenimit të integritetit personal e publik të z. Lushtaku. Çdo ditë, edhe pse shumë ngadalë, po shpërfaqen qëllimet e ndjekjes ndaj z. Lushtaku, që kanë të bëjnë me dëmtimin e autoritetit dhe popullaritetit të tij si komandant i UÇK-së dhe si Kryetar komune.

Ne e dimë se z. Sami Lushtaku nuk ka bërë asnjë nga krimet e supozuara nga të dy shkallët e gjykatave, mirëpo a do t’i duhet drejtësisë në Kosovë që ta vërtetojë pafajësinë e z. Lushtaku edhe për disa vite të tjera, kjo është pyetja që më të drejtë e bënë sot çdo qytetar i Skenderajt.

Sami Lushtaku dhe veprimtaria e tij patriotike dhe politike në shërbim të çlirimit dhe ndërtimit të Kosovës, është dhe do të mbetet e pastër si loti. koha e ka dëshmuar, po e dëshmon dhe do ta dëshmojë këtë.” thuhet në komunikatën e dërguar për media.