Konfirmohet angazhimi për integrimet e Ballkanit Perëndimor në BE

27.09.2018 18:16:57

Shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, tha se gjatë një darke të përbashkët të organizuar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, liderët e Ballkanit Perëndimor konfirmuan një angazhim të fuqishëm për progresin në procesin e integrimit në BE përmes përshpejtimit të reformave dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Ajo tha se në këtë darkë pune u diskutua edhe për Marrëveshjen Prespës, e cila ka të bëjë me zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë, si dhe për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Të dyja këto çështje janë vendimtare për zhvillimin e rajonit dhe rrugën e saj evropiane,” përfundoi Mogherini.

Mogherini mbrëmë në Nju Jork organizoi një darkë ku mori pjesë edhe komisionari për negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn dhe partnerët e BE-së nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në kumtesën e Shërbimit evropian për Punë të Jashtme thuhet se kjo ishte një mundësi e mirë për të diskutuar situatën dhe përparimin e rajonit.

“Angazhimi ynë për të mbështetur partnerët nga Ballkani Perëndimor për të bërë hapa të pakthyeshëm në rrugët e tyre të integrimit në BE është më i fuqishëm se kurrë. Kjo do të kërkojë punë të vazhdueshme në reformat e orientuara drejt BE-së, si dhe bashkëpunim të sinqertë dhe efikas, “tha krye diplomatja evropiane.